Mavraj konfirmon bisedimet me Partizanin: Ide e bukur ta mbyll karrierën në Shqipëri

24 gusht 2022 | 12:38

Mërgim Mavraj është emri më i madh i dalë në skenë në këtë merkato për një transferim të mundshëm te Partizani.

Pas largimit të Belicës, të kuqtë janë në kërkim të një tjetër qendërmbrojtësi, që do të shtonte opsionet dhe konkurrencën në sulm.

“Panorama Sport” raportoi ekskluzivisht para disa ditësh se “demat” kanë kontaktuar Mërgim Mavrajn, ish-kapitenin e Kombëtares, që ka luajtur me ekipe si Hamburg, Ingolstad apo Gruther Furth.

Vetë Mavraj është prononcuar në lidhje me këtë temë, ku duket pro një lëvizjeje të tillë. “Po, mund t’jua konfirmoj që kam lejuar të nisin bisedimet”, ka thënë Mavraj.

“Për momentin vetëm kaq mund të them. Nuk e di se si mund të shkojë, nëse do të ketë një bashkëpunim apo jo. Nga ana ime mund të them se fakti që një klub si Partizani është interesuar për mua që të jem pjesë e tij, është një vlerësim shumë i madh. Të rikthehem prapë në ato fusha me tifozët e mrekullueshëm shqiptarë, në fushat ku kemi pasur shumë kujtime, do të ishte një mënyrë nostalgjike për t’i prekur edhe një herë ato stadiume, ato fusha”, ka shtuar mbrojtësi Mavraj.

“Madje, ja tani që po i përmend për ju, sa më shumë i mendoj, aq më shumë më shtohet dëshira. Gjithsesi, nuk e di se si do të mbyllet, janë shumë faktorë. Nga ana ime është një ide shumë e mirë, shumë e bukur, që ta mbyll karrierën në Shqipëri. Po e përfundoj duke e theksuar edhe një herë, që a do të më jepet apo jo mundësia, nuk e di”, ka deklaruar ndër të tjera për “OverSport”, ish-kapiteni kuqezi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miliona përdorues në mbarë botën kanë hasur probleme me “Facebook”-un…