Mbahet konferenca “Roli i gruas në institucionet e sigurisë”
Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, sot në ambientet e Kazermës së FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, është mbajtur konferenca “Roli i gruas në institucionet e sigurisë”.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Sadika Kofrc, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja së përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafa Ukimeraj, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli dhe oficerë dhe zyrtarë të Ekipit Këshillëdhënës të NATO-s (NALT).
Moderuar nga ana e sekretares Ukimeraj, para vajzave dhe grave zyrtare dhe ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, fjalime mbi rolin e gruas në institucionet e sigurisë, konkretisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, mbajtën ministri Quni dhe gjeneral Rama.
Në vazhdim, konferenca zhvilloi punimet në formatin interaktiv me komente e pyetje nga ana e të pranishmeve adresuar ish-presidentes Jahjaga dhe anëtarëve tjerë të panelit përkatës.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga, në fjalën e saj, ka vlerësuar shumë lart rolin e gruas në prosperitetin e përgjithshëm të shoqërisë njerëzore si dhe atë të gruas në veçanti në të gjitha etapat historike, me theks në periudhën e rezistencës dhe luftës për liri, pavarësi dhe demokraci.
Kjo konferencë nga të gjithë u vlerësua e suksesshme, duke përmbyllur punimet me vendosjen e luleve te memoriali “Heroinat”, në përkujtim dhe nderim të rreth 20 mijë grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë.