Mbi 10 mijë protestues kundër Vuçiqit

20 janar 2019 | 11:26

Më shumë se 10 mijë njerëz marshuan rrugëve të Beogradit mbrëmjen e së shtunës, për të vazhduar protestat kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij në qeveri “SNS”, duke kërkuar më shumë liri për mediet si parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Protestuesit e mbledhur bashkë nga “Aleanca për Serbinë”, një grupim i 30 partive opozitare dhe organizatave të ndryshme, mbanin parulla ku lexohej “Sapo ka nisur” dhe thërrisnin në kor “Vuçiq hajdut”, në të tetën fundjavë radhazi të pakënaqësisë së shprehur përmes demonstratave. 

Edhe protestat e mëparshme kanë pasur thuajse të njëjtin numër pjesëmarrësish.

“E vetmja kërkesë që ne kemi, është që ky regjim djallëzor të largohet”, tha aktori Branislav Trifunoviç, që iu adresua protestuesve siç ka bërë edhe gjatë javëve të kaluara. “Duam zgjedhje, por liria është mbi gjithçka”, shtoi më tej ai.

Nga zyra e Vuçiqit nuk është lëshuar asnjë reagim. 

Në të kaluarën, presidenti është shprehur se nuk do të përulet përpara kërkesave të opozitës për reformë zgjedhore dhe përmirësim të lirisë së shtypit, “edhe nëse do të dilnin 5 milionë njerëz në shesh”, por gjithsesi shprehu vullnetin që të testojë popullaritetin e partisë së tij në zgjedhje të parakohshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njazi Thaçi “Kosova B” “Njësia B2” është në punë, prodhim…