Mbi 2 600 mësimdhënës tepricë, marrin paga nga buxheti

10 maj 2022 | 15:52

Kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim Parauniversitar, Besiana Musmurati, ka bërë me dije se mbi 2 600 mësimdhënës janë tepricë dhe jofunksionalë që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Këtë deklaratë, Musmurati e dha në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku u diskutua për gjendjen e arsimit parauniversitar në nivel komunal.

Të ftuar për diskutim në këtë komision ishin edhe Besiana Musmurati, drejtoreshë e DKA-së në Komunën e Prishtinës, dhe Selvete Sylejmani, drejtoreshë e DKA-së në Komunën e Gjilanit.

Përfaqësuesit relevantë të fushës së arsimit prezantuan punën dhe angazhimet e tyre që ndërlidhen me nivelin lokal dhe atë qeveritar. Përkitazi me këtë, u fol për sfidat dhe problemet që dalin nëpër komuna lidhur me zbatimin e kontratave kolektive për punonjësit e arsimit parauniversitar në alokimin e mjeteve buxhetore.

Për më tepër, nga prezantuesit u tha se shfaqen shumë dilema edhe me atë se me cilin ligj të veprohet me punonjësit e arsimit: me Ligjin e arsimit të lartë apo me Ligjin e shërbyesve civilë.

Po ashtu, u theksua edhe disbalancimi i punonjësve arsimorë nëpër komuna përkitazi me rënien e numrit të nxënësve në shkollat e fshatrave dhe numrit të madh të nxënësve në shkollat e qyteteve.

Sfidë tjetër u paraqit edhe numri i vogël i inspektorëve të arsimit, mungesa e hapësirave për laboratorë dhe salla sportive, ngecja e investimeve kapitale në të gjitha komunat nga bllokimet e OSHP-së etj.

Anëtarët e këtij komisioni shtruan shumë pyetje për çështje që ndërlidhën me fushën e arsimit, për të cilat përgjigje dhanë përfaqësuesi i kolegjiumit parauniversitar dhe dy drejtoreshat e drejtorive komunale për arsim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hendbollistja e rëndësishme e Përfaqësues së Kosovës, Pashke Marku, ka…