Mbrojtja e liderëve të UÇK-së ‘demolon’ dëshmitarin Abrahams

06 shtator 2023 | 15:43

Dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë nga “Human Rightws Watch”, Frederic Abrahams, ka vazhduar edhe të mërkurën dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së. Ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë dhe të avokatëve të liderëve të UÇK-së. Abrahams ka folur lidhur me pretendimet e kësaj organizate për abuzimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se këto pretendime për të cilat ka folur edhe të martën janë të bazuara nga informacionet që kanë marrë nga tereni.

Lidhur me këto pretendime, fillimisht ka reaguar avokati i Veselit, Ben Emmerson.  Ai ka thënë se provat e dëshmitarit  Abrahams janë të papranueshme edhe jashtë kompetencave së Gjykatës Speciale.

“Dëshmitari nuk përmend burimin e informacionit mbi të cilën është bazuar kjo pjesë.  Kjo është përpiluar siç e tha vet dëshmitari për të prezantuar dhe ndërtuar një rast. Pra është konceptuar që të paraqes një argument që rastësisht përputhet edhe me atë të prokurorisë.  Para kjo nuk është provë e pranueshme.  Mbi këtë bazë, gjykata nuk mund të vlerësojë lidhur me besueshmërinë e kësaj prove. Fakti që dëshmitari thotë: ‘ne besonim, menduam që ishte’, kjo është punë e gjykatës. Këtë e bën gjykata, nuk e bën ‘Human Rightws Watch’ për të lexuar raportet e përpiluara nga palët e treta dhe pa intervistuar vet burimet”, ka thënë Emmersoni.

Kërkesa e Emmersonit që prova e dëshmitarit të mos pranohet është refuzuar nga kryetari i trupi gjykues, i cili ka thënë se dëshmitari Abrahams vetëm ka treguar se si janë mbledhur dëshmitë.

Pas kësaj, fjalën e ka marrë avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe. Ai e ka pyetur dëshmitarin  se a kanë intervistuar ndonjë pjesëtarë të familjeve ndaj të cilave pretendohet se u është marrë ndonjë i afërm. “Nuk mund ta them këtë sepse personalisht nuk kam parë diçka të tillë. Për kolegët e mi është sigurisht që po”, ka thënë dëshmitari.

Po ashtu, avokati i Thaçit e ka pyetur dëshmitarin Abrahams se kush janë pjesëtarët e familjes që janë marrë në pyetje nga “Human Rightws Watch”, por nuk ka qenë në gjendje të jap një përgjigje konkrete. “Sot në këtë bankë nuk mund të ju jap emra”, është përgjigjur dëshmitari Abrahams.

Më tutje, avokati i Thaçit e ka pyetur dëshmitarin Abrahams se a i ka parë shënimet e personave të cilët kanë dhënë dëshmi para se të jepte dëshminë para ZPS-së. As këtu, dëshmitari Abrahams nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. “Nuk me kujtohet nëse i pashë edhe njëherë shënimet sepse ka kaluar kohë, por për paraqitjen këtu sot, sigurisht që jo”, është përgjigjur dëshmitari Abrahams.

Në këtë kontekst, avokati i Thaçit ka pyetur dëshmitarin Abrahams se a janë të “Human Rightws Watch” shënimet të cilave është duke ju referuar. “Këto shënime janë të miat dhe janë në zotërimin tim, por nuk i ndajë me prokurorin dhe më askënd tjetër sepse është material i klasifikuar”, është përgjigjur dëshmitari Abrahams.

Avokati i Thaçit ka insistuar  që të marrë përgjigje me konkrete për këto shënime nga dëshmitari Abrahams. Ai ka pyetur dëshmitarin sa a i ka lexuar shënimet para se të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë.

Dëshmitari Abrahams ka thënë se nuk i ka parë ato shënime para se ta jepte dëshminë. Pas kësaj ka pasuar pyetja tjetër e avokatit të Thaçit, duke e pyetur Abrahamsin se kur i ka parë shënimet dhe se a ka kërkuar ZPS-ja t’i marrë këto shënime. Ndaj kësaj pyetje dëshmitari është përgjigjur shkurt me “Jo”.

Avokati i Thaçit ka pyetur dëshmitarin edhe për takimet me Adem Demaçit. Ai ka pranuar se ka takuar dy herë Demaçin gjatë kohës se luftës.

Avokati Gregory Kehoe e ka ballafaquar dëshmitarin me një të Adem Demaçit në të cilin gjendet edhe emri i Albin Kurtit. Në këtë dokument kërkohej lirimi i disa gazetarëve të “Tanjug”-ut. Në këtë kontekst, avokati i Thaçit i është referuar deklaratës se një dite më parë të dëshmitarit Abrahams.

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka nisur më 3 prill të këtij viti, ndërsa ata janë duke u mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzuat me të cilat është duke i ngarkuar Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. /Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë…