Më 21 shkurt fillon gjykimi kundër Pjetër Shalës në Hagë

27 janar 2023 | 10:22

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, e ka caktuar 21 shkurtin datë për fillimin e gjykimit në këtë çështje.

Njoftimi është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykata ka njoftuar se deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar si dhe ato të Mbrojtësit të viktimave, do të mbahen më 22 shkurt, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë më 27 mars.

“Më 26 janar, Trupi Gjykues I vendosi që gjykimi kundër Pjetër Shalës të fillojë të martën, më 21 shkurt 2023, në orën 09:30. Deklaratat hyrëse të ZPS-së, Mbrojtësit të Viktimave dhe Mbrojtjes, për të cilat secilës palë do t’i caktohen nga 2 orë, do të mbahen në të njëjtën datë dhe më 22 shkurt, ndërsa paraqitja aktuale e provave do të fillojë më 27 mars 2023. Më shumë detaje, duke përfshirë informacionin për oraret e seancave në periudhën e parë, mund të shihen në vendimin aktual”, thuhet në njoftim.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5  qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /kp/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ata që…