Melisa ka synime të mëdha në Lojërat Olimpike Verore

22 shtator 2018 | 12:25

Melisa Zhdrella është notarja e vetme që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj, “Buenos Aires 2018”, që mbahen prej 6-18 tetor në Buenos Aires të Argjentinës.

18-vjeçarja prej disa ditësh është duke u përgatitur në Durrës të Shqipërisë falë mbështetjes që Komiteti Olimpik i Kosovës ua ka dhënë federatave për përgatitje jashtë vendit të sportistëve që do ta përfaqësojnë vendin tonë në “Buenos Aires 2018”. Krahas Zhdrellës, që është ftuar me ftesë, në LOV për të rinj, Buenos Aires 2018, do të marrin pjesë edhe: peshëngritësi Bleron Fetaovski, boksieri Erdonis Maliqi dhe atleti Muhamet Ramadani që, po ashtu, janë ftuar me ftesë për shkak të Univerzalitetit.

E vetmja me normë Olimpike është xhudistja Erza Muminoviq. “Jemi duke stërvitur në qendrën stërvitore në Durrës bashkë me trajnerin tim, Enver Hajredini. Stërvitjet po mbahen sipas planit, kushtet e pishinës janë në nivel. Jemi duke ushtruar dy herë në ditë dhe çdo gjë është në rregull”, ka deklaruar Zhdrella për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Notarja e klubit Termopan do të garojë në disiplinën 50 metra krol, në të cilën synon të paktën ta thyejë rekordin e Kosovës. “Besoj se do të jem në formën time më të mirë deri para fillimit të Lojërave Verore Olimpike për të Rinj, ‘Buenos Aires 2018’. Nëse gjithçka shkon sipas planit, unë besoj se do të kem paraqitje të mirë, së paku do ta përmirësoj rekordin e Kosovës”, ka thënë Melisa Zhdrella.

Melisa ka gjasa të garojë edhe në disiplinën 50 metra bretkosë, për çka KOK është duke pritur konfirmim nga organizatori. Zhdrella kishte përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Evropiane “Baku 2015”. Komiteti Olimpik i Kosovës merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një intervistë për "Deutsche Wellen", deputetja gjermane liberale Renata…