Mendimtari i Rodinit

27 shtator 08:52

Nuk fitohet gja tue ndejë mbështetë,
Se mbi nënkrejca dhe mbi pupla t’lehta
Deri më sot askush lavdi s’ka gjetë!
Dante Alighieri

Nga: Bledar Kurti

Statuja Mendimtari është një nga imazhet ikonë të skulpturës botërore, por edhe një simbol vizual i filozofisë, poezisë, e madje i vetë njeriut. Këtë figurë të burrit të menduar e shohim shpesh në ballina librash, kartolina dhe ilustrime, por historia e krijimit të kësaj vepre buron nga ferri. E cili ferr tjetër përveçse ai që përshkruhet në veprën Komedia Hyjnore e Dante Alighieri.

Në vitin 1880, skulptori francez Auguste Rodin (1840-1917) mori si komision të krijonte portën e godinës së Muzeut Dekorativ të Arteve. Godina nuk u ndërtua kurrë, megjithatë Rodin krijoi një portë e cila do hynte në histori: Portat e Ferrit, bazuar në Ferrin e Dantes, me të cilën punoi për 37 vitet e ardhshme. Kjo portë zë një vend unik në krijimtarinë e Rodin. Duke punuar me zell mbi këtë projekt për disa dekada, ai krijoi rreth 200 figura që formuan një terren të jashtëzakonshëm për idetë që do kishte për pjesën tjetër të jetës së tij. Në këtë portë, figurat derdhen poshtë me një ndjesi të jashtëzakonshme të lëvizjes, me trupat që shfaqin pasion, erotizëm dhe dëshpërim. Por më e rëndësishmja, elementë të figurave të Portat e Ferrit, u punuan më vete, duke krijuar kështu vepra të veçanta të cilat sot hyjnë tek kryeverpat e botës, si Mendimtari, Puthja, Tri Hijet, e të tjera.

Ka disa derdhje të portës të gjendura në mbarë botën, por një referencë e merituar është ajo e Musée Rodin në Paris. Porta prej bronzi peshon 8 tonë dhe me përmasa gjashtë metra e lartë dhe katër e gjerë. Kanatat e saj nuk hapen. Rodin u frymëzua nga Portat e Parajsës në Pagëzoren e Shën Gjonit në Firence, e krijuar nga dora e Lorenzo Ghiberti në shekullin XV, por ai zgjodhi të mos merrej me parajsën por ferrin, pasi jo vetëm ishte më dramatik, por, i frymëzuar nga figurat e shpirtrave të humbur në muralen Gjykimi i Fundit nga Michelangelo, idhulli i tij, Rodin vendosi ta ilustronte për herë të parë ferrin në skulpturë.

“Kisha një admirim të madh për Danten,” u shpreh Rodin, “Ai nuk është vetëm vizionar, por edhe skulptor. Shprehia e tij është një lapidar. Jetova një vit të tërë me Danten … duke vizatuar të gjithë rrathët e ferrit të tij.” Dhe për një vit, Rodin, me librin e Dantes në xhep, skicoi mbi 300 figura, secila me një shprehi apo ndjenjë unike duke krijuar bocete të panumërta, e duke i bashkuar e rikompozuar herë pas here, derisa vuri në përdorim edhe artin e fotografisë, pasi nisi t’i fotografonte figurat e i bashkonte më pas si kolazh për të arritur kompozimin që dëshironte.

Portat e Ferrit ka tri nivele: niveli tokësor, niveli i syrit, dhe niveli mbinatyror. Në majë të portës gjenden Tri Hijet, të bashkuara në një dorë, si një njësi e vetme, të ngjashme me njëra tjetrën, të cilat në rrethin e tyre simbolizojnë rrethin e ferrit që përshkruhet nga Dante në këngën e III-të të Komedia Hyjnore:

Këndej kalohet në qytet t’mjerimit,
Këndej kalohet n‘dhimbjen pa kufi,
Këndej kalohet n’shpirtrat humbun shqimit.

Tri Hijet janë edhe simbolikë e trinisë, por jo asaj hyjnore por të ferrit, të cilat duket se janë paralajmërueset për këdo që hyn në atë portë. Poshtë tyre, në nivelin e të mbinatyrshmes, e njohur edhe si niveli i mendimit, gjendet Mendimtari. Kjo figurë është kryesorja dhe qendra e të gjithë reliefit. Cili është ky burrë? Cili është ky mendimtar?

Rodin nisi që përmes kësaj figure të portretizonte vetë Danten: babain e Komedia Hyjnore, penën që bëri përshkrimin historik të ferrit. Por, as Dante e as Virgjili mëshirues, i cili e shoqëroi Danten në udhëtimin e tij në ferr, nuk mund të përmbushnin skenën e kompozuar nga Rodin, ndaj mjeshtri skulptor kërkoi për një origjinë më të hershme të ferrit, një pikë lidhëse midis njeriut të parë dhe shikuesit modern, midis Dantes dhe vetë Rodin, figurën që do simbolizonte rënien e të gjithë njerëzimit, njeriun universal në gjendjen e tij të humbur e të ferrtë. Ky ishte Adami. Njeriu i parë dhe babai i njeriut të fundit. Ai shpaloset i përhumbur në krye të portës, i trishtuar me gjendjen e dënuar të njerëzimit, që për shkak të tij u privua nga lavdia hyjnore e tashmë ka si vendmbërritje ferrin, si realitetin pa kthim. Rodin krijoi përhumbjen dhe trishtimin e Adamit edhe sipas përshkimit të Dantes:

Krijuesin tim e shty drejtësia e tij;
Vetë pushteti hyjnor më ka sajue,
Ma e larta dije, e para dashuni.
Para meje gja tjetër s’u krijue
Veçse e përjetshme, e unë qëndroj përtejë.
O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!

Adami, Mendimtari universal qëndron i ulur, i humbur në mendime, me fytyrën e mbështetur mbi kyçin e dorës, porsi një degë e thyer, i tëri lakuriq, ashtu si Adami i Michelangelo, por ndryshe nga ai që rrezaton bukuri prej prekjes hyjnore, Adami i Rodin është i rrënuar në gjendjen e tij të humbur, dhe për shpirtrat që hyjnë në atë portë të ferrit nga e cila nuk ka kthim.

Në nivelin e tokës, pra nivelin e poshtëm të portës, shihen varre që hapen dhe shpirtra të humbur që bien nga lartë e që dalin nga terri i poshtëm. Një kaos i vërtetë skëterror. I ngjashëm edhe me shpirtrat e humbur të Gjykimi i Fundit në afreskun e Michelangelo. Por, në të gjithë këtë kaos ka edhe një organizim dhe renditje të paramenduar. Shumë figura janë të sfumuara dhe të lëna të papërfunduara por disa pjesë të tyre janë të krijuara në detaj dhe të ilustruara me mjeshtëri. Këtë teknikë, figura gjysmë të detajuara, Rodin e imitoi nga Michelangelo. Ai i jepte disa pjesëve të skulpturave një përfundim delikat e të hollësishëm, duke e lënë qëllimisht pjesën tjetër të papunuar e të pambaruar. Ky stil vërehet në të shumtën e veprave të Rodin.

Në nivelin e syrit, tek Portat e Ferrit dallohen edhe disa figura historike dhe ilustrative nga vepra e Dantes. Rodin kishte krijuar fillimisht edhe figura të tjera të cilat vendosi t’i heqë dhe t’i trajtojë si vepra më vete. Për shembull, vepra e tij e njohur Puthja, ishte fillimisht e kompozuar për Portat e Ferrit, por ishte shumë sensuale dhe romantike për atë skenë ndaj Rodin e bëri skulpturë më vete, bashkë me zmadhime të Mendimtari dhe Tri Hijet të cilat tashmë janë vepra të veçanta nga reliefi i portës. Por, personazhet e veprës Puthja, gjenden në forma të tjera tek porta. Ata janë Paolo dhe Francesca da Rimini, çifti i dashuruar, të cilët që të dy të martuar me të tjerë, kryenin tradhti bashkëshortore. Historia e tyre zgjati për më shumë se dhjetë vjet, dhe në fund, një natë, bashkëshorti i Francesca i zuri dhe i vrau që të dy. Ky çift historik përshkruhet edhe në veprën e Dantes ku ata gjenden në rrethin e dytë të ferrit, i rezervuar për mëkatarët e epshit, si fajtorë të tradhëisë së tyre.

Në veprën e tij Dante shpreh keqardhje për ata dashnorë, dhe ai shkruan: “Françeskë, këto rënkime po m’bajnë me qa të trishtun nga mëshira.” Edhe Rodin ndjeu keqardhje për historinë e tyre ndaj edhe i përjetësoi në skulpturë në një kompozim të veçantë.

Një skenë tjetër që vihet re në nivelin e syrit tek Portat e Ferrit është historia e Ugolinos dhe fëmijëve të tij. Konti Ugolino ishte një fisnik, politikan, dhe komandant, i cili u dënua për tradhti ndaj qytetit të tij, Piza. Ai u prangos në qeli bashkë me fëmijët e tij dhe u la të vdiste nga uria. Pasi fëmijët vdiqën të parët, ai u ushqye me kufomat e tyre. Dante e përshkruan Ugolinon në rrethin e nëntë, më të thellin e ferrit, të rezervuar për tradhtarët:

Prandaj u dhashë verbue,
me u endë tue prekë foshnjet e mija;
Dy dit i thirra mbasi ata mbaruen,
Pastaj ma e fortë se dhimbja qe urija!

Rodin e ilustroi në skulpturë historinë e Ugolinos me një mjeshtëri të jashtëzakonshme. Trupi i tij i tretur, me gojën gjysmë të hapur, me sytë që shpërthejnë plot uri, dhe duart që përpiqen të ngrenë lart një nga djemtë e vdekur, ushqimin e tij për pak ditën në vazhdim, janë një drejtësi skulpturore për vargun më rrëqethës në veprën e Dante Alighieri, Pastaj ma e fortë se dhimbja qe uria, e cila merr kuptim edhe më tragjik nga skulptura e Rodin.

Vepra Portat e Ferrit kaloi shumë peripeci, për shkak të dështimit dhe ndërtimit të Muzeut Dekorativ. Rodin ekspozoi vetëm një version të saj, pothuajse të zhveshur nga të gjitha figurat, e padyshim që mori shumë kritika. Por, ndërkohë, Mendimtari, Tri hijet, PuthjaUgolino dhe fëmijët e tij ishin zmadhuar e derdhur në disa kopje e shitur me sukses. Për shkak të stilit të tij gjysmë të përfunduar dhe trajtimi i figurës si masë emocionale dhe jo imtësi detajesh, Rodin ftonte shumë kritika, të ngjashme me atë çfarë kishin përjetuar edhe impresionistët në pikturë të cilët ishin kritikuar pikturat e tyre ishin të papërfunduara.

Rodin u has me një botë ku arti i tij i veçantë ishte gjithashtu nën kujdestarinë e drejtuesve të cilët sipas tij ishin të padenjë për pozicionin e tyre. Ai thoshte shpesh se: “Ata mbajnë çelësat e qiellit dhe nuk do të lejojnë asnjë shpirt të mirë për të hyrë në të, por as vetë ata nuk mund të hyjnë kurrë” Dhe kundërshtia më e madhe që ai hasi ishte edhe mbi skulpturën e shkrimtarit të shquar francez Honoré de Balzac, të cilin Rodin e krijoi në një stil aq të veçantë saqë e ndau në dysh opinionin e artistëve të kohës, kritikëve të artit, zyrtarëve dhe publikut të gjerë.

Gjatë vizitës në Musée Rodin, pasi lashë pas krahëve statujën Mendimtari dhe reliefin Portat e Ferrit, kur m’u shfaq përpara syve monumenti i Balzac, e kuptova menjëherë përse ajo figurë kishte nxitur aq shumë kritika. Një trajtim i ashpër formash dhe një stil i atillë skulpturor dukej tejet novativ për vitin 1898. Balzac i Rodin nuk ka asnjë ngjashmëri me Balzac si njeri, por në të personaliteti i shkrimtarit të madh është kapur e shpalosur me madhështi.

Që në fillim, Rodin kërkonte të bënte diçka ndryshe nga e zakonta. Ai lexoi e rilexoi të gjitha romanet e Balzac, shpenzoi një muaj në vendlindjen e shkrimtarit për t’u familjarizuar me natyrën e njerëzve të zonës, e madje takoi edhe rrobaqepësin e Balzac për të mësuar formën dhe përmasat e sakta të trupit të tij, pavarësisht se ai kishte dyzetë vite që kishte vdekur. Rodin nuk ishte edhe aq i dhënë të shpaloste se çfarë pamje kishte patur Balzac, por personalitetin dhe emrin e tij. “Kam në mendje punën e tij të pashoqë,” shkroi Rodin, “vështirësitë e jetës së tij, betejat e tij të pareshtura, dhe kurajën e tij të madhe. Dua që t’i shpreh të gjitha këto.”

Dhe ashtu bëri. Ai e shpalosi Balzac me natyrë të fortë e luftëtare, në fillim të tërin lakuriq e më pas të mbuluar nga një rrobë të varur si ato të murgjve. Një esencë e vërtetë e shkrimtarit pa detaje të zakonshme ngjashmërie. Société des Gens des Lettres, e cila e porositi veprën kërkonte që Rodin t’i kthente pjesën e pagesës që i kishin dhënë pasi u tronditën nga lakuriqësia e Balzac, madje u tronditën sërish edhe kur ai e mbuloi, pasi edhe nën rrobë dallohej që Balzac mbante me duar penisin e tij të ngritur, si një atribut i Rodin për vitalitetin e shkrimtarit si burrë, artist, dhe krijues.

Artistët e tjerë ishin më mbështetës ndaj veprës. Oscar Wilde, shkrimtari irlandez me gjuhë të mprehtë, e quajti statujën “madhështore “, dhe Claude Monet përdori të njëjtën fjalë, dhe i shkroi mikut të tij Rodin ku shprehej se: “është absolutisht e bukur dhe madhështore, dhe nuk më hiqet dot nga mendja.”

Sekreti i veprave të Rodin qëndronte se ai e shihte skulpturën në tërësi si një shpalosje të botës së brendshme, ndaj edhe ato janë aq apeluse, prekëse dhe emocionuese. Sipas kujtimeve të sekretarit të Rodin, mjeshtri e konsideronte skulpturën një domosdoshmëri e vizion të brendshëm të artistit. “Vetëm vizioni emocional i artistit mund të ndiejë me intensitet të mjaftueshëm thellësitë pulsuese të asaj që shpaloset në sipërfaqe,” shprehej mjeshtri.

Rodin ishte një ndër figurat më të shquara të romanticizmit, dhe u desh kohë më vonë që të kuptohej ndikimi i tij i vërtetë në art dhe në botëkuptimin e shekullit të njëzetë. Ai konsiderohet si një prej artistëve më të mëdhenj të kohës si skulptori më novator dhe me ndikimin më të madh në skulpturë që nga Michelangelo. Gjenialiteti i tij qëndronte në aftësinë që tregoi për ta çliruar skulpturën nga konventat akademike të idealizuara që karakterizonin veprat e artistëve pasardhës. Subjekti kryesor dhe burimi i frymëzimit të Rodin ishte trupi i njeriut, që nga studimet e thjeshta deri te portretet depërtuese në pasqyrimin e pasionit dhe vuajtjes njerëzore, duke e tronditur vazhdimisht publikun me tematikat e tij sensuale, fragmentimin e shpeshtë dhe abstraksionin e formës njerëzore. Me një teknikë të fuqishme modelimi tejet subjektive dhe impresioniste, ai kapi lëvizjen dhe shprehu emocionin duke ndryshuar pozicionet dhe gjestet tradicionale për të krijuar figura dinamike, shumë personale, të cilat i thurin lavde vitalitetin të shpirtit njerëzor.

Ai dinte të tregonte mjeshtëri në realizëm, pasi kur skulptura Epoka e Bronzit u ekspozua për herë të parë ajo dukej aq e gjallë saqë kritikët dhe shikuesit mendonin se Rodin kishte derdhur formën e një njeriu të vërtetë në vend që ta modelonte vetë figurën, por ai zgjodhi të shprehte ndjenjat dhe thellësitë e natyrës njerëzore përmes skulpturës. Ai i shihte objektet natyrore në një mënyrë të re dhe vetëm kështu ai mund të prodhonte skulptura të gjalla.

Edhe pse Rodin vuante nga miopia, dhe nuk arriti të arsimohej mirë pasi nuk shikonte dot as tabelën e zezë, e madje edhe modeleve u afrohej shumë për t’i parë sesi dukeshin, ai arriti të krijonte përmes syve të artit vepra që vazhdojnë ende edhe sot të yshtin shikuesit, dhe krijoi një tablo skulpturore si Portat e Ferrit e cila na shpalos fytyrën poetike, mendimtare, por edhe skëterrore të artit.

“Kur pashë argjilë për herë të parë,” u shpreh ai, “u ndjeva sikur po ngjitesha në parajsë.” Ndërsa ne kur shohim statujën Mendimtari biem në mendime bashkë me të, për realitetin e gjendjes në të cilën gjendet i gjithë njerëzimi.

Mendimtari jemi vetë ne. /Gazeta “ExLibris”/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Mihai Șora Përktheu: Aurel Plasari Për sa kohë ishte…