Mendjen dhe zemrën ia kam falur grafikës

15 mars 16:07

Intervistë me grafisten e talentuar Shkurta HaxhiuShkurta Haxhiu është një grafiste e talentuar nga Prishtina. Ka marrë pjesë në dy-tri ekspozita të grafikës në Kosovë dhe është në to me dy çmime. Po përgatitet ta hapë ekspozitën personale, të cilën vizitorët kanë mundësi ta vizitojnë në Prishtinë vetëm pas dy muajve. Thotë se mendjen dhe zemrën ia ka falur grafikës, për të cilën punon deri në njëzet orë në ditë, me shumë përkushtim. Lexojeni këtë intervistë të shkurtër, me Shkurtën që, ndër të tjera, është edhe fotomodele.

“Epoka e re”: Zonjusha Shkurta, na prezantoni shumë shkurt, Shkurta Haxhiun: kush është ajo, çfarë studime ka kryer, çfarë pune ka bërë në të kaluarën dhe bën tashti.

Haxhiu: Jam nga Prishtina. Punoj dhe jetoj këtu, në Prishtinë. Kam mbaruar studimet themelore në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, në Degën Grafikë, në të cilën jam në përfundim edhe të studimeve të nivelit master. Deri para pesë-gjashtë vjetësh kam bërë të njëjtën punë që bëj sot: grafikë të punimeve por, më shumë se grafika, kohë më përpara më ka pëlqyer piktura. Tashti, nëse më pyesni se cilin e dua më shumë, mendjen dhe zemrën i kam ndarë për grafikën. Nuk e ndërroj me asnjë profesion tjetër, sepse e bëj më shumë përkushtim këtë punë.

“Epoka e re”: Pse zgjodhët të studioni për grafikë, çfarë keni prezantuar deri më tash në to dhe sa kohë punoni në grafikë?

Haxhiu: Kur e mbarova shkollën e mesme, sytë i drejtova kah Fakulteti i Arteve të Bukura, kah Dega e Pikturës. Kishim në shtëpi disa piktura të disa piktorëve. Kisha në shtëpi edhe disa piktura të miat që i kisha punuar si gjimnaziste dhe filloriste dhe i ruaja me dashuri të madhe sepse më kujtonin shumë ngjarje, shumë persona, shumë ndodhi. Me ato punime dhe ato kujtime jam e lidhur edhe sot, fort. Megjithatë, pavarësisht dëshirës për të studiuar për pikturë, kjo dëshirë nuk mu realizua. Në vend të saj zgjodha të studioj për grafikë, e cila, mbase më duket vetëm mua, mbase gjithkujt tjetër që studion për pikturë dhe për grafikë, më jep mundësi të shprehem më lehtë dhe më qetë e drejtpërdrejtë sesa jep mundësi piktura. Ndërkaq, se sa kohë punoj punë të grafikës, s’bëj lajm nëse them, njëzet orë në ditë. Mëngjesi më gjen në atelienë e Fakultetit të Arteve. Aty më zë edhe nata, duke punuar punime me cikle të ndryshme. Por, nuk dërrmohem e as nuk i dorëzohem kësaj pune.

 “Epoka e re”: Keni marrë pjesë, me disa punime, në shumë ekspozita të grafikës që janë hapur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni.

Haxhiu: Po, kam marrë pjesë në këto vende që përmendët dhe në këto jam shpërblyer me dy çmime për grafikë. Njërin çmim e kam marrë në Klinë këtë vit, çmimin e dytë, kurse në Gostivar vitin e kaluar, çmimin e tretë.

 “Epoka e re”: Kush shpreh interesim sot më shumë për të blerë grafika? Punoni me porosi, apo vetëm për qejfin tuaj?

Haxhiu: Deri më tash i kam kryer detyrat shkollore, ato që më janë dhënë për detyrë në provimet që kisha në fakultet. Pasi t’i mbaroj studimet e masterit, e që i kam në përfundim, do të punoj pa e pasur obligimin e fakultetit, por vetëm për qejfin tim dhe për kërkesat e atyre që dëshirojnë të kenë një grafikë në objektet e tyre, në shtëpinë e tyre.

 

“Epoka e re”: Në llogarinë tuaj në “Facebook” kemi parë edhe disa fotografi që na flisnin, në heshtje, dy fjalë të vetme: vajzë modele. Jeni edhe modele?

Haxhiu: Fotomodele po, modele jo.

 

“Epoka e re”: Çfarë keni planifikuar tash për të ardhmen?

Haxhiu: Po përgatitem që ta hap ekspozitën personale, e cila, nëse më shkojnë angazhimet e saj si deri më tash, mund të vini ta vizitoni pas dy muajve, fillimisht në Prishtinë, ka mundësi ta hap në hollin e Bibliotekës të Kosovës, ose në ndonjë objekt.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë është zhvilluar…