Messi: Nuk po u lutesha Maradonës dhe nënës, por Zotit

03 shkurt 2023 | 16:33

Lionel Messi, kampion i Botës, rikthehet të flasë për suksesin në Katar. Në një intervistë të gjatë për Ole, “pleshti” preku disa nga çastet më pikante nga festimet te raporti me Mbappen dhe deri tek e ardhmja.

“Lutjet në penalltinë e fundit? Thuhet se po flisja me nënën time apo me Maradonan, por nuk është kështu, thjesht po i lutesha Zotit që të shënonim te penalltia e fundit, të mos zgjatej më shumë agonia”, ka thënë Messi, i cili më pas e ka komentuar foton me Kupën e Botës.

“Arritëm në hotel në orët e para të mëngjesit, De Paul dhe Otamendi më dëgjuan që shkova në tualet dhe erdhën në dhomë duke më bërë foto. Kupa ishte me mua atë natë. Festimet? Njerëzit e përjetuan në maksimum këtë sukses, jo vetëm pas finales, festuan me ditë të tëra. T’i shihje imazhet e tyre ishte diçka spektakolare”, ka deklaruar argjentinasi Messi.

Më pas Leo Messi foli edhe për takimin me Mbappen në Paris, duke thënë se nuk kanë biseduar shumë rreth finales në Botëror: “Folëm shkurtimisht për mënyrën se si u festua në Argjentinë, asgjë më shumë. Edhe unë kam humbur një finale Botërori, e di se çfarë do të thotë, kështu që e kuptoj dhe nuk dua ta zgjas më shumë këtë argument. Mes meje dhe tij çdo gjë shkon shumë mirë”.

“E ardhmja? Jam 36-vjeçar, e kam të vështirë të mendoj për Botërorin e ardhshëm, më duket e vështirë të jem. Unë e dashuroj futbollin. Për sa kohë do të jem në formë do të vijoj të luaj, por nuk arrij dot të mendoj deri në Botërorin e ardhshëm”, ka shtuar Messi. Në fund Messi e komentoi edhe rinovimin e kontratës së trajnerit Scaloni me Argjentinën. “Shpresoj që të rinovojë. Do të ishte diçka e bukur nëse nuk ndryshojmë tani. Nuk kam folur së fundmi me të, por ky është një vendim që i takon vetëm atij. Në çdo rast do ta mirëkuptoj”, u shpreh Messi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet me magnitudë 4.3 ballë të shkallës Rihter ka…