Meta për gazetën izraelite: Njiheni Kosovën

25 janar 2020 | 19:07

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i pranishëm në Izrael për ceremonitë që shënuan 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit ka folur në një intervistë për gazetën më të madhe izraelite “The Times of Israel” për marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, ndërsa është ndalur edhe te çështja e Kosovës, si dhe tek pasojat e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.

Meta u shpreh se miqësia e Izraelit me Shqipërinë u shfaq më 26 nëntor, kur vendi ynë u godit nga tërmeti tragjik që vrau 51 njerëz, ndërsa ushtria izraelite dërgoi një ekip të specializuar për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të përcaktuar nëse ndërtesat nga ana strukturore ishin apo jo të sigurta.

“Ka pasur dëme të mëdha, dhe për fat të keq patëm 51 jetë të humbura gjatë kësaj tragjedie”,  tha Meta.

Duke u ndalur te Kosova, presidenti Meta është shprehur se Izraeli duhet të njohë sa më parë pavarësinë e saj.

“Kosova dhe Izraeli kanë një miqësi të madhe. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk mund të flas në emër të secilit vend, por ka simpati të madhe midis kosovarëve për hebrenjtë, dhe anasjelltas. Shpresoj se do të vijë koha. Deri atëherë, të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh duhet të shfrytëzohen”, tha Meta.

Ndër të tjera, kreu i shtetit të Shqipërisë ka thënë se një nga qëllimet e Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por kjo ëndërr ende nuk është realizuar.

Drejtuesit e 49 vendeve u bashkuan këtë javë në Jeruzalem për ceremonitë që shënuan 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit. Kjo është vizita e dytë e presidentit Meta në Izrael.

E para ishte si kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, në vitin 2014.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afaristë nga Kosova, të materialeve ndërtimore dhe të ndërtimeve të…