Meta: Tani është momenti i transformimit të Shqipërisë
Një ditë pasi Ilir Meta ka lënë detyrën e kreut të shtetit shqiptar është rikthyer në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) për të marrë kartën e anëtarësisë.
“Një ditë e re, një agim i ri dhe një rrugë e re”, ka thënë fillimisht ai gjatë një prononcimi për gazetarët.
Meta është shprehur se LSI-ja ishte forca politike që ka shpëtuar integrimin evropian të Shqipërisë. Dhe sa i përket integrimit, Meta ka folur me rezerva për shkarkimin e kryenegociatorit Zef Mazi.
“Ju e dini ata (Mali i Zi) i kanë çelur negociata që në vitin 2012, Serbia që në vitin 2014. Ne në pamundësi për t’i shtyrë edhe më tej nga regjimi kleptokratik këtu në Tiranë na i hapën tani dhe ne shkarkuam kryenegociatorin pa nisur akoma negociatat duke treguar gjithë seriozitetin dhe përkushtimin e atyre që urrejnë integrimin evropian, urrejnë zgjedhjet, urrejnë konkurrencën, urrejnë meritokracinë, urrejnë pluralizmin, urrejnë medien e lirë dhe të pavarur”, ka thënë Meta.
Megjithatë, Ilir Meta ka vënë theksin tek referendumi që sipas tij do të sjellë një transformim totalisht të sistemit në vend.
Sipas Metës, referendumi është ai që do të vendosë nën kontroll këtë klasë politike, të cilën e konsideron të papërgjegjshme, por edhe do të përshpejtojë procesin e integrimit.
“Unë jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit pjesë e së cilit ka qenë edhe LSI-ja në ato momente dhe për t’u bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit. Triumf i mesazhit të 2 marsit është sovraniteti në Shqipëri i përket popullit. Popullit i ka ardhur momenti ta ushtrojë atë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.
“Tani ka ardhur momenti për një transformim totalisht të sistemit në vend dhe ka ardhur momenti që populli i jashtëzakonshëm i 2 marsit të nisë rrugën e tij, të shumëfishohet ditë pas dite dhe sa më shpejt të triumfojë referendumi si e vetmja rrugë dhe mënyrë që do të vendosë nën kontroll këtë klasë politike të papërgjegjshme, por jo vetëm atë. Jam i sigurt që kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt dhe jam i bindur që referendumi që i ka munguar popullit të Shqipërisë që nga viti ‘98, referendumi do të jetë shpata e Demokleut me gjithë kleptokratët, uzurpatorët dhe tradhtarët, Esat Pashët e rinj të këtij vendi që venë në diskutim interesin e vendit dhe i ngulin thika pas shpine në mënyrë sistematike edhe shtetësisë së Kosovës dhe interesave të shqiptarëve kudo ku ata janë”, ka thënë Meta.
Më tutje, Meta ka pasur akuza edhe për Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, që sipas tij e ka futur në grackë bashkë me Ramën, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“LSI-ja ka bërë çdo gjë për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit, por ky nuk ishte vullneti jo vetëm i lidershipit të PS-së, por për fat të keq edhe ish-lidershipit të kaluar të PD që në mënyrë të qëllimtë programuan djegien e mandateve, shkatërrimin e reformës në drejtësi dhe jo vetëm kaq, por këtë nuk mund ta bënin pa futur në grackë edhe LSI-në e cila për fat të keq doli jashtë gjithë funksionit të saj duke u bërë një shtojcë e pavetëdijshme e një shtojce të regjimit kleptokratik që ishte PD-ja e Bashës që çdo gjë e kishte të mirëkoordinuar dhe mirëprogramuar me Edi Ramën”, ka thënë Meta.
Pas është pyetur nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën, Ilir Meta ka thënë se do të bashkëpunojë “me çdo shqiptar të ndershëm, patriot dhe demokratë që do të triumfojë sovraniteti i nëpërkëmbur i shqiptarëve”. /tvklan/



