Ministri Gashi nënshkruan Rregulloren për Këshillin Drejtues të Muzeut

21 shkurt 2019 | 15:20

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për punën e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK).

Rregullorja e nënshkruar nga ana e ministrit Gashi do të përcaktojë mënyrën e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë, procedurat e punës, thirrjen dhe mbajtjen e mbledhjes, mënyrën e vendimmarrjes dhe votimit si dhe çështjet e tjera përkatëse të rëndësishme për punën e Këshillit Drejtues të MKK-së, ndërsa dispozitat e kësaj rregulloreje do të zbatohen nga Këshilli Drejtues, Drejtori i MKK-së, njësitë organizative dhe departamentet përkatëse të MKRS-së.

Ndër të tjera rregullorja parasheh që së paku njëherë në vit llogaridhënia e MKK-së të mbikëqyret nga auditori i pavarur, dhe për këtë KD i MKK-së duhet t’i drejtohet me kërkesë MKRS-së.

Vet KD i MKK-së, sipas rregullores, përcakton politikat e Muzeut, po kështu, monitoron dhe vlerëson punën e Drejtorit të MKK-së, të shkarkojë dhe të zgjedhë atë.

Sipas rregullores, KD-ja përbëhet nga pesë anëtarë me një mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje dhe anëtarët duhet të jenë persona të dëshmuar nga fusha përkatëse profesionale. Për punën e tij, KD, duhet t’i raportojë së paku një herë në tre muaj ministrit.

Ministri Gashi ka thënë se përpilimi i rregullores që parasheh punën dhe funksionimin e Këshillit Drejtues të MKK-së, nga këshilli i ri është cilësuar si një nevojë imediate për të përmirësuar funksionalizimin e këshillit si dhe për të ngritur efiqiencën dhe llogaridhënien në këtë institucion.

Ai ka pohuar se deri më tani roli i Këshillit Drejtues të MKK-së nuk ka qenë i specifikuara detajisht, prandaj kjo rregullore mundëson një transparencë më të mirë në kryerjen e punëve të Këshillit Drejtues të MKK-së. “Zbatimi në përpikëri i kësaj rregulloreje pritet të ngritë efiqiencën, efektivitetin dhe llogaridhënien në të gjitha instancat menaxhuese të MKK-së. Kjo pritet të rezultojë edhe në statisfaksion më të mirë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, menaxhmentit të MKK-së, posaçërisht në aspektin e aktiviteteve të përditshme dhe administrative në MKK”, ka theksuar ministri Gashi pas nënshkrimit të rregullores në fjalë.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fati tragjik i Emiliano Salas trishtoi gjithë botën e futbollit…