Ministri Gashi raporton për të arriturat dhe sfidat në MKRS-së

05 nëntor 2018 | 16:58

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të hënën ka raportuar pranë Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, për periudhën Janar-Tetor 2018.

Ministri Gashi ka thënë se ministria që drejton përmes mekanizmave institucional e ligjor ka vazhduar me përmbushjen e objektivave të përcaktuara në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit duke krijuar mjedis mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të këtyre fushave, duke e promovuar identitetin kulturor, sportiv dhe rininë e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

“Në fushën e kulturës janë realizuar premiera të shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Baletit Kombëtar, janë mbajtur koncerte artistike të Filarmonisë, të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’, ekspozita të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe të Galerisë së Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai.

Po ashtu Gashi ka bërë me dije se “është rritur buxheti për Qendrën Kinematografike të Kosovës për mbështetjen e projekteve filmike nga 800 mijë euro në vitin 2017 në 1.4 milionë në vitin 2018, është përmirësuar infrastruktura ligjore në fushën e kulturës e më konkretisht aprovuar Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijueseve, Performuesve dhe Punonjësve të Trashëgimisë Kulturore, me të cilën janë rritur pagat e këtyre kategorive 50 për qind, është miratuar Rregullorja për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponzorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit me të cilën është zbatuar Ligji për sponzorizime në këto fusha, duke përmendur edhe pjesëmarrjen e suksesshme të Kosovës në festivale të ndryshme ndërkombëtare”.

Ai ka shtuar se një e arritur e veçantë dhe historike në sektorin kulturor dhe atë kreativ është nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qasje në kuadër të programit evropian Evropa Kreative.

Në fushën e trashëgimisë ministri Gashi ka përmendur themelimin e Inspektorat të Trashëgimisë Kulturore dhe miratimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme.

Gashi ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e rinisë ka vazhduar me avancimin e kornizës ligjore, është në përfundim e sipër strategjia për Rinisë 2018-2023, si dhe Ligji për Rininë.

Ai ka treguar se në kuadër të mbështetjes së organizatave rinore janë mbështetur 134 projekte të organizatave rinore.

Ai po ashtu tha se e arritur e veçantë në fushën e rinisë është krijimi i Fondit Rinor sikurse dhe mbështetja financiare për ndërtimin e Qendrës së edukimit jo-formal për rini me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës dhe janë ndërtuar objektet e qendrave rinore në Pejë dhe Vushtrri.

Ndërkaq për sa i përket fushë së sportit, ministri Gashi ka pohuar se janë ndërmarrë hapa për rregullimin e fushave te rëndësishme ligjore në sport dhe janë nxjerrje aktet nënligjore sipas planit të paraparë. “Gjithashtu e arritur e veçantë është edhe themelimi Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative”, ka theksuar Gashi.

Ai ka raportuar para anëtarëve të komisionit edhe për fushën e të drejtave të autorit.

Në fund ministri Gashi ka thënë se sfidat që mbeten për të ardhmen janë bllokimi i llogarive rrjedhëse të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, mungesa e nënkodeve për institucionet vartëse dhe buxheti i vogël i MKRS-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të përkrahjes së shkollës së mesme profesionale elektroteknike…