Ministri suedez, Vuçiqit:  Serbia duhet  të vendosë sanksione ndaj Rusisë

19 prill 2023 | 15:24

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, ka thënë në Beograd se Serbia duhet të përafrohet me politikën e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, se duhet të zbatojë reformat dhe se të gjitha normat nga marrëveshja dhe aneksi i marrëveshjes me Kosovën pritet të jenë zbatuar.

“Pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi rrënjësisht sigurinë e Evropës. Ne presim që partnerët tanë të koordinohen me ne dhe të marrin përgjegjësi strategjike për sigurinë e përbashkët”, ka thënë Bilstrom në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa Vuçiqi ka thënë se Billstrom ka këmbëngulur që Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe se agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka.

“Kështu Suedia, pas 200 vitesh që nuk bënte pjesë në bllokun ushtarak, vendosi t’i përkasë bllokut ushtarak. Unë thashë që dikush duhet të kuptojë edhe qëndrimin tonë, sepse ai bllok na bombardoi pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1999”, ka thënë Vuçiqi.

Më tutje, Billstrom ka thënë se presidenca suedeze e BE-së e mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendë dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë thelbësorë të BE-së për ta mbajtur Evropën të qëndrueshme dhe të begatë.

Siç ka thënë ai, ka uruar Vuçiqin për arritjen e “marrëveshjes historike me Prishtinën”.

Ai ka thënë se kanë biseduar për integrimin evropian, rajonin, çështjen e Rusisë dhe mediet.

“Serbia i përket BE-së, BE-ja është donatori, partneri tregtar dhe investitori më i madh, nuk ka alternativa dhe besoj se pjesëmarrësit në skenën politike do të qëndrojnë në rrugën evropiane”, ka thënë Billstrom.

Vuçiqi i ka thënë se Serbia është mirënjohëse ndaj Suedisë për mbështetjen dhe ndihmën e saj në rrugën evropiane dhe se Serbia e kupton mirë se çfarë duhet të bëjë.

“Ne i kuptuam të gjitha mesazhet nga Suedia – se duhet të vendosë sanksione, si duhet të sillet në marrëdhëniet me Prishtinën. Ne jemi një vend i pavarur dhe sovran, do të marrim vendime në atë mënyrë, duke marrë parasysh atë që ju si partnerët tanë më të afërt na keni thënë”, ka thënë Vuçiq.

Kur është fjala për Kosovën, Vuçiqi ka thënë se në takim ka përsëritur qëndrimin e Serbisë, se do të përmbushë atë që ka thënë se do të bëjë, por se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe agjencitë e OKB-së.

Ai ka thënë se Kosova duhet së pari të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca thelbësore dhe se pas kësaj Serbia do ta përmbushë pjesën e saj, sepse ky nuk është obligim nga shkurti i këtij viti, por obligim nga 19 prilli 2013.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Petrit Dula, ish-i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata…