Ministrja e Jashtme e Spanjës: Nuk e njohim Kosovën, por luajmë me rregulla të FIFA-s

08 dhjetor 2020 | 16:34

Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha González Laya, ka thënë se Spanja do të diskutojë me FIFA-n për përcaktimin e vendit të zhvillimit të dy ndeshjeve të saj kundër Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022. Spanja nuk dëshiron ta mirëpresë Kosovën në territorin e vet duke qenë se nuk e njeh si shtet të pavarur.

Ballafaqimi i Kosovës me Spanjën në fushatën kualifikuese për Botërorin Katari 2022 vitin e ardhshëm ka ngritur polemika dhe ka ngjallur reagime, duke e ditur se vendi i Gadishullit Iberik nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës, raporton GE.

Në shortin e hedhur të hënën në Zvicër, Kosova mësoi se do të luajë në Grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja. “Këtu luajmë me rregullat të FIFA-s. Natyrisht, Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por kjo nuk nënkupton që Spanja nuk merr pjesë në një garë ku merr pjesë edhe Kosova”, tha Gonzalez Laya.

“Këto janë rregullat e tyre, jo të ligjit ndërkombëtar për njohjen e shteteve. Prandaj në FIFA ka garues si Ishujt Faroe, Uellsi, Skocia, Irlanda Veriore dhe Gjibraltari, të cilat s’janë shtete”, tha ajo në një intervistë me Cadena Ser.

Rregullorja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s nga viti i kaluar në lidhje me çështjen e Kosovës thotë: Kombëtaret apo ekipet të cilat nuk mund të jenë nikoqire të klubeve nga Kosova apo ekipit kombëtar të saj në territorin e vet, mund të bëjnë kërkesë për t’i organizuar ndeshjet e tyre si vendas në një terren neutral. Megjithatë, ato janë të detyruara të pranojnë t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si mysafirë në Kosovë. Por ministrja spanjolle thotë se për caktimin e vendit për zhvillimin e ndeshjeve me Kosovën, Spanja do të diskutojë me organin qeverisës së futbollit botëror.

“Çështja tani është të punohet me FIFA-n për të parë se cilat janë kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës dhe se ku do të zhvillohen ndeshjet e Spanjës kundër Kosovës. Ne do të diskutojmë me FIFA-n në bazë të rregullave të futbollit, jo të ligjit ndërkombëtar, dy fjalë të ndara”.

E pyetur nëse ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë spanjolle, ajo tha: “Jo, Kosova e di këtë dhe Spanja e di këtë. Ne nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, por kjo është çështje e ligjit ndërkombëtar”.

Në të kaluarën, Spanja nuk i ka pranuar simbolet e Kosovës në garat e organizuara në vendin e vet, por është përballur me pasoja.

Në vitin 2019, UEFA ia hoqi Spanjës organizimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian U-17, sepse kishte refuzuar t’i njihte simbolet shtetërore të Kosovës. Spanja duhej t’i organizonte ndeshjet e Grupit 5, në të cilin bënin pjesë vetë ajo, Kosova, Greqia dhe Ukraina. UEFA vendosi që ndeshjet të zhvilloheshin në Zvicër.

Federata e Futbollit e Spanjës u detyrua t’i paguajë të gjitha shpenzimet e dy ndeshjeve me Kosovën në Nyon.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…