Mjeshtri i veçantë i artizanaleve, tani kandidat për asamble komunale

12 tetor 2021 | 11:47

Fahri Krasniqi nga Grashtica e Prishtinës tashmë është i njohur gjithandej Kosovës. Njeriu që ndërtoi minihidrocental gjatë bombardimeve të NATO-s dhe siguroi energji elektrike për tranzistorin e tij, zdrukthëtari që vetëm me një dorë mahnit me punimet e tij artizanale, njeriu që bën unaza me 50 centë, shpikësi i çiftelisë elektronike, janë disa nga epitetet me të cilat prej vitesh njihet 40-vjeçari nga Gollaku.

Të gjitha këto dhunti mund edhe të duken të zakonshme, sikur të mos bëhej fjalë për një njeri që si fëmijë, në moshën shtatëvjeçare, si pasojë e një aksidenti kishte humbur aftësinë fizike në dorën e majtë dhe po ashtu kishte lënduar pashërueshëm njërën këmbë.

Por këto kufizime fizike Fahriun nuk e kanë zmbrapsur përballë sfidave të jetës, përkundrazi, kanë shërbyer si motiv për të ndërmarrë aktivitete që në jo pak raste kanë ngjallur kërshërinë e mediave, duke u bërë personazh e shumë storieve televizive e artikujve të mediave të shkruara.

Për më tepër, Fahriu është një aktivist i njohur dhe avokues i pareshtur i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Për vite me radhë ka monitoruar punimet e Kuvendit Komunal të Prishtinës, si përfaqësues i HANDIKOS-it.

Por, as ky angazhim për të nuk është i mjaftueshëm. Duke kërkuar hapësirë më të madhe për të shtrirë veprimtarinë e tij në artikulimin e kërkesave të personave me aftësi të kufizuara dhe realizimin e tyre, si dhe të bashkëvendësve të tij gollakas, Fahri Krasniqi i ka hyrë garës për ulëse në Asamblenë Komunale të Prishtinës, si i vetmi kandidat në kryeqytet nga kategoria e personave me aftësi të kufizuara.

Ai garon në listën kandiduese të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mban numrin 35.

Në deklarimet e tij, Fahriu ka thënë se ishte kjo parti dhe kandidati i saj për kryetar, Uran Ismaili, ishin ata që i hapën dyert për të dhe nëpërmjet tij, të gjithë personave me aftësi të kufizuara, për t’u dhënë mundësi përfaqësimi në Asamblenë e kryeqytetit. Ai premton të jetë zëri i kësaj kategorie të shoqërisë dhe i bashkëvendësve të tij në këtë forum vendimmarrës, pa dallim subjekti politik.

“Konsideroj se mund të përçojë denjësisht kërkesat dhe nevojat e bashkëvendësve të mi në pushtetin komunal. Po ashtu, aktiviteti im ndër vite lidhet e kauzën e përmirësimit të kushteve të jetesës e të qarkullimit të personave me aftësi të kufizuara, prandaj dua të jem edhe përfaqësues i tyre. Kërkesat dhe nevojat janë të njëjta për të gjithë qytetarët, si për ata që mbështesin PDK-në, ashtu edhe për mbështetësit e Vetëvendosjes, LDK-së e të subjekteve të tjera, prandaj unë mëtoj të jem përfaqësues i të gjithëve”, ka thënë Fahriu.

No description available.No description available.No description available.No description available.No description available.No description available.No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka…