Monitoruesit e Kuvendit: Kosova është e mësuar me zgjedhje të parakohshme, ato mund të organizohen

23 maj 2024 | 11:12

Nëse arrihet që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ashtu siç është duke pretenduar opozita më 30 qershor, monitorues të punës së Kuvendit kanë vlerësuar që këto zgjedhje mund të organizohen dhe të mbahen.

Sipas tyre, Kosova është e mësuar me zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme, pasi, deri më tani, asnjë legjislativ nuk e ka përfunduar mandatin katërvjeçar.

Partitë opozitare në vend janë duke synuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe këto zgjedhje të mbahen më 30 qershor.

“Radio Kosova” ka kërkuar përgjigjeje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të parë se a janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, mirëpo deri me tani nuk kemi marrë përgjigje.

Ndërkohë, sipas monitoruesve të procesit zgjedhor Kosova mund të përgatisë zgjedhjet e parakohshme, pasi sipas tyre, deri me tani as një legjislativ nuk e ka përmbyllur mandatin katër vjeçar.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se në çfarë do kohe kur vendoset që të shpërndahet Kuvendi, institucionet duhet të jenë të gatshme të përgatisin procesin zgjedhor.

“Në çdo kohë kur partitë politike shprehin interes për shpërndarjen e Kuvendit apo shkarkimin e Qeverisë, atëherë institucionet sipas ligjit dhe Kushtetutës, gjithmonë duhet të jenë të gatshme t’i organizojnë zgjedhjet, në një afat optimal siç e përcakton Kushtetuta dhe ligjet”, është shprehur Miftaraj për “Radio Kosovën”.

Ndërsa Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se megjithëse Kosova është mësuar me zgjedhje të parakohshme dhe të jashtëzakonshme, sipas tij, korniza e re zgjedhore mund të paraqesë probleme në procesin zgjedhor.

“Fakti që mund të kemi zgjedhje të parakohshme me kornizë ligjore e cila është ndryshuar rishtazi, tregon problem në vete, edhe pse KQZ-ja ka arritur që deri diku ta konsilidojë kornizën ligjore sekondare për këto ndryshime, prapëseprapë, vetë fakti që do të këtë votim jashtë vendit fizik nëpër ambasada, që do të ketë numërim të votova të kandidatëve nëpër qendrat komunale të votimit, e shumë ndryshime të tjera do të bëjnë që procesi zgjedhor të jetë më i cenueshëm se sa herëve të kaluara”, ka deklaruar Cakolli.

Ndryshe nga PDK-ja, kanë thënë se janë duke punuar intensivisht për të ngritur mocion mosbesimi ndaj qeverisë, por LDK-ja dhe AAK-ja janë duke kërkuar që qeveria të dorëhiqet, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme. Në anën tjetër vetë partia në pushtet, Vetëvendosje, ka shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje, por që po kërkon nga opozita të kenë unitet për ta rrëzuar qeverinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…