Muriqi te Mallorca, mungon vetëm zyrtarizimi

20 korrik 2022 | 13:50

Lazio dhe Mallorca janë afër finalizimit të marrëveshjes për transferimin e Vedat Muriqit në Spanjë. Sulmuesi i Kosovës do të rikthehet aty ku la mbresa të shkëlqyeshme për gjysmë sezoni, në Mallorca.

28 vjeçari i kishte realizuar 5 gola dhe i kishte bërë 3 asistime në 16 ndeshje me klubin e La Ligas, ku ishte huazuar nga “Biancocelesti”. E tash, pasi i dështoi transferimi në Club Brugge, ku nuk i kishte kaluar vizitat mjekësore, nga ky rast përfitoi klubi ishullor spanjoll. Sipas mediumit spanjoll “Marca”, Mallorca do t’i paguajë 8 milionë euro për kartonin e futbollistit nga Prizreni. Muriqi do ta nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, deri në verën e vitit 2026.

Ndërsa, sa i përket rrogës, ai do të paguhet përafërsisht sa merrte në Lazio, rroga e tij do të jetë 2,2 milionë euro në vit.

Lazio e kishte blerë “Piratin” për afro 20 milionë euro në verën e vitit 2020 nga Fenerbahçe. Por, ai dëshpëroi në eksperiencën që e pati në Itali për një vit e gjysmë duke i realizuar vetëm 2 gola dhe duke i bërë vetëm 2 asistime. Interesim për Muriqin kishin shfaqur këtë verë edhe Hull City në Angli, Galatasaray në Turqi dhe Club Brugge në Belgjikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 24-vjetorit të rënies së Rexhep Bislimit Shkruan:…