Mustafa: Brenda LDK-së janë disa karrieristë dhe anarkistë

12 korrik 2019 | 13:57

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se brenda kësaj partie ka disa egoistë, karrieristë, popullsitë e anarkistë.

“LDK-ja është e vetëdijshme se njerëzit e saj janë njerëzit e Kosovës, me të mirat dhe dobësitë e tyre. Idealistë, pragmatistë, të vyeshëm e punëtorë, besnikë, por aty këtu ka edhe egoistë, karrieristë, popullsitë e anarkistë”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar veprimtarë,

Janë këto disa nga cilësimet që po i bëhen LDK-së: Filani… i jap goditje të fortë LDK-së, ai… e godet LDK-në, ajo.. zbraz arsenalin (me gjuhen e “Zërit të Popullit”) kundër partisë së Isa Mustafës, ai tallet me LDK-në… me Isa Mustafën…

Askush s’guxon të godas konkretisht e as t’i grushtojë verbalisht baballarët dhe patronët e korrupsionit, krimin dhe kriminelët, subjektet në të cilat veprojnë ata, as të tallet me ta, sepse ata ua kthejnë me grusht përnjëmend ( dhe jo vetëm me grusht); ata e kanë kapur shtetin, po bëjnë çfarë po donë, kurse njerëzit sikur ngushëllohen kur thonë “ pse a keni pritur diçka më mirë prej tyre”?! Prandaj i sulen LDK-së.

Dhe mua më vjen mirë që njerëzit e kritikojnë LDK-në. Mburrem se LDK nuk është subjekt që brenda ka banditë e kriminelë dhe që askush nuk ka pasoja që na sulmon, që kritikon dhe shfryhet në LDK-në. Pasi nuk guxojnë të shfryhen te tjerët.

Por kush janë ata që po e “godasin” LDK-në. Janë askushi. Individë që edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e kanë braktisur LDK-në, janë shëtitur përreth globit të partive tjera, nuk kanë zënë vend askund dhe tani rikthehen për të qenë guardian të “rugovizmit” për interesa të tyre dhe të porositësve. Janë shokë, e ish shokë, zyrtarë, anëtarë publik e jopublik të PDK-së që i kanë ngritur përmendore shefit të tyre deri sa kanë përfituar bashkë, e kur janë hidhëruar mës vete, e sulmojnë LDK-në se paska qeverisur me PDK-në.

Janë disa kurrkusha të LDK-së që kanë dështuar, që s’ia kanë sjellë asnjë votë LDK-së, veç se ia kanë zvogëluar, dhe gjejnë të shfryhen në partin e tyre se nuk është dashur të qeverisë me vendin. Për ta më mirë është të qeverisë kushdo me Kosovën, sesa LDK-ja, e cila tregoi se qeveris pa korrupsion dhe në mënyrë demokratike. Janë qarqe të caktuara që vet konstruktojnë lajme të rreme, siç ishte ai se kryetari i LDK-së për tu bërë president, ia paska dhënë postin e kryeministrit VV-së, pastaj e bëjnë një gjysëmkthesë dhe hapin debat për rrena të tyre.

Do të ishte fatale, sikur LDK-ja të ishte e dobët dhe tu nënshtrohej shantazheve. E sulmojnë sepse është e fortë. Disa nuk e durojnë ideologjikisht, disa i frikësohen se do të vjen në pushtet, prandaj shumë bëhen bashkë kundër LDK-së.

Edhe përkundër kësaj lufte LDK po qëndron parti e parë, unike në tërësinë e saj dhe e përgatitur ta drejtojë qeverinë e vendit.

Është parti që respekton familjen, fenë, që kultivon traditën, solidaritetin e brendshëm dhe mirëkuptimin.

LDK-ja është e vetëdijshme se njerëzit e saj janë njerëzit e Kosovës, me të mirat dhe dobësitë e tyre. Idealistë, pragmatistë, të vyeshëm e punëtorë, besnikë, por aty këtu ka edhe egoistë, karrieristë, popullsitë e anarkistë.

Të tillë që me veprimet e tyre të papranueshme karrieriste në 3-4 nëndegë (prej 931-ve) prodhuan lajme, e të cilat lajme shërbyen për të mbuluar aferat e fajdeve, korrupsionit, keqpërdorimit të parasë publike, disfatave të qeverisë në arenën ndërkombëtare, vendimeve jokushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit, të njerëzve të BIA-s që e kishin këshilluar Presidentin për një kohë!?

Prandaj LDK është e fortë, sepse e njeh vetveten dhe e njeh Kosovën.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Arsyeja pse jemi këtu është që të dërgojmë porosi, se…