Nagavci: Qeveria dhe LDK-ja po punojnë kundër interesave kombëtare

25 shkurt 2018 | 16:12

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke ju referuar arritjes së marrëveshjes për kalimin e demarkacionit, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe LDK-ja, me vetëdije të plotë po punojnë kundër interesave kombëtare.

Ajo në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se votimi pro demarkacionit e bën secilin deputetë fajtor për dëmtimin e shtetit.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Kjo qeveri e papërgjegjshme, në bashkëpunim me LDK-në që tradicionalisht interesat e ngushta partiake i kanë vënë mbi interesat e vendit duke u përpjekur që këto veprime t’i paraqesin si konsensuse, tashmë jo vetëm se marrin vendime dhe veprime paradoksale, por e kanë humbur krejtësisht betejën me ndërgjegjen, janë dorëzuar tashmë.

Ata me vetëdije të plotë po bëjnë vepër kriminale dhe po punojnë kundër interesave kombëtare.

Tashmë, deputetët duhet të dëshmojnë para qytetarëve se kanë ndërgjegje!

Fjala “si orientim” e kërkuar nga LDK-ja dhe e pranuar nga kryeministri Haradinaj, paradoksalisht e kthen projektligjin në një dokument që do të duhej të votohej kundër nga secili deputet/e.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala orientim është udhëzim a këshillë që i jepet dikujt për ta pasur si drejtim të përgjithshëm në një punë a në një veprimtari.

Nëse Raporti i Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës Kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi e cila konstaton se me këtë Projektligj humben 8.200 hektarë territor, merret si orientues, atëherë cili deputet/deputete mund të votojë pro një marrëveshje të tillë?

Është përgjegjësi kushtetuese e secilit deputet/e të ushtroj funksionin në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

Votimi pro këtij Projektligji duke u orientuar edhe në Raportin e Komisionit, e bën secilin deputet/e fajtor që me vetëdije dhe vullnet të plotë bën vepër penale dhe e dëmton shtetin e vet!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet me epiqendër në Librazhd ka rënë në ora…