Ndeshja Kosovë-Izrael, ‘Dardanët’: Duhet të jetë vetëm një ndeshje sportive

08 nëntor 2023 | 14:45

Tifo-grupi “Dardanët” kanë kërkuar nga të pranishmit në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen ndaj Izraelit që të përmbahen dhe të përqendrohen vetëm në aspektin sportiv të ndeshjes.

Kosovarët presin izraelitët në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian, takim që ishte paraparë të zhvillohej në tetor por që u shty pas konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

“Të dielën presim Izraelin në Prishtinë. Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ duhet të jemi të gjithë në nivel të detyrës dhe mos të lejojmë të bëhet asnjë lëshim. Nga fillimi deri në fund duhet të jetë vetëm një ndeshje sportive, pasi qëllim tjetër nuk ka dhe nuk duhet të ketë. Për hir të interesave tona si vend, si kombëtare dhe si futboll vendor, duhet të përpiqemi që animin ta bëjmë sa më korrekt dhe energjitë t’i përqendrojmë vetëm te vetja, respektivisht tek inkurajimi i futbollistëve tanë për të nxjerrë një rezultat sa më pozitiv”, thuhet në njoftimin e “dardanëve”.

“Organet e rendit dhe sigurisë kanë marrë masat e duhura që gjithçka të shkojë mbarë dhe në respektim të ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë dhe harmoni do të angazhohemi që të gjithë që mos të lejojmë kurrfarë skenarësh tjera”.

Ata kanë shtuar që me respektim të rregullave respektohet shteti i Kosovës, dhe që për shkak të situatës së ndjeshme, mbështetja duhet të jepet vetëm për ekipin kombëtar.

“Duke i respektuar rregullat, e respektojmë shtetin tonë. Në fushë kemi përballë një kundërshtar, kurse në tribuna kemi detyra që përkojnë vetëm në mbështetje të ekipit tonë kombëtar”.

“Për shkak të ndjeshmërisë së situatës, paralajmërojmë secilin anëtar të Dardanëve që do të pajiset me biletë të personalizuar, me emër dhe mbiemër. Masa këto të ndërmarra me rekomandim të Policisë së Kosovës”.

“Pra, sfida kundër e Izraelit është ndër të fundit që do t’i luajmë këtë vit. Të shërbejë për një fitore, për rikthim të entuziazmit dhe përgatitjen sa më të mirë për kualifikimet e radhës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KEDS-i ka nënshkruar të mërkurën memorandumin e mirëkuptimit me Universitetin…