Në Kamenicë hapet qendra këshilluese për gratë shtatzëna

06 gusht 2019 | 15:04

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me drejtoreshën për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Suna Zajmi, dhe përfaqësueset nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, kanë bërë hapjen e “Klasës për nëna” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kryetari Kastrati ka thënë se kjo klasë do të shërbejë si qendër informuese e këshilluese për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre, që nga periudha e paralindjes e deri tek paslindja e kujdesi gjatë zhvillimit të foshnjës dhe të gjitha grave do t’u jepen falas vitaminat “Prenatal”.

“Jam shumë i lumtur që sot po bëjmë hapjen ‘Klasës për nëna’ në Kamenicë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre klasave këshilluese dhe ndihmën që e ofrojnë, në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, po angazhohemi që grave shtatzëna t’ua lehtësojmë këtë periudhë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Suna Zajmi, ka thënë se kjo klasë është e domosdoshme dhe do të jetë një ndihmesë mjaft e madhe për gratë në periudhën e shtatzënisë por edhe pas lindjes.

E përfaqësuesja nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beha, ka theksuar se klasa e hapur sot në Kamenicë është e njëmbëdhjeta në Kosovë, dhe sipas saj, deri më tani 5 000 gra kanë përfituar nga këto qendra këshilluese.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Rahoveci vazhdon me përforcime për edicionin e ri. Basketbollisti…