Në Klinikën Infektive po trajtohen shtatë pacientë me COVID-19

09 maj 2020 | 11:50

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po trajtohen shtatë pacientë që janë të prekur nga koronavirusi i ri.

Infektologu Valbon Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve në përgjithësi është stabile. Sipas tij, vetëm një paciente është në gjendje më të rënduar.

“Sot në klinikë me COVID-19 janë shtatë pacientë të konfirmuar, të cilët janë të shtrirë në klinikë. Gjendja e tyre shëndetësore e përgjithshme është e mirë, në përjashtim të një pacienteje e cila vazhdon të jetë në gjendje më të rënduar. Ajo është duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe, po ashtu, është në hemodializë të rregullt. Edhe një paciente që dje është konfirmuar pozitiv, herë pas here ka nevojë për oksigjen”, tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus, ku 622 janë shëruar, ndërkaq 28 pacientë kanë vdekur.

Rastet e para me COVID-19 në Kosovë u shënuan më 13 mars. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeinfektologu suedez, Johan Giesecke, e ka mbrojtur strategjinë e vendit…