Nesër dhe pasnesër mbahet testi me shkrim për policët e rinj

14 shtator 2018 | 16:30

Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie ka dhënë informacione shtesë për aplikantët lidhur me mbarëvajtjen e testit me shkrim që do të mbahet nesër dhe pasnesër (15 dhe 16 shtator nga Policia e Kosovës)

“Policia e Kosovës me kohë ka informuar të gjithë aplikantët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit publik për zyrtar policor dhe njëherësh ka ftuar ata që t’i nënshtrohen testimit me shkrim i cili do të mbahet në nivel të Drejtorive Rajonale të Policisë së Kosovës me datat 15 dhe 16 shtator 2018”, është thënë në komunikatën e policisë.

Po ashtu, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate ka njoftuar kandidatët mbi procesin dhe kriteret e testimit që duhet t’u përmbahen.

“Kandidatët duhet të paraqiten me kohë në lokacionin ku mbahet testimi me shkrim 60 minuta (një orë) para fillimit të testimit. Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim duhet të kenë me vete: 1. Numrin e aplikacionit (shih në listat e shpallura), 2. Letërnjoftimin, 3. Lapsi kimik me ngjyrë të kaltër i potencuar për posedim në informacionin e mëhershëm, do t’ju sigurohet nga Policia e Kosovës, andaj nuk lejohet posedimi apo përdorimi i laps (kimikëve) personalë”, është theksuar më tutje në këtë komunikatë.

Policia e Kosovës ka bërë me dije se kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim nuk lejohet të posedojnë apo të përdorin pajisje të teknologjisë informative, siç janë telefonat mobilë, kalkulatorë, orë të mençura etj.

Çdo tentim i futjes nëpër vendtestime të këtyre pajisjeve teknologjike apo përdorimit të tyre me qëllim tentim kopjimin, do të pasojë me diskualifikim të menjëhershëm nga procesi i testimit.

“Prandaj, sugjerohen të gjithë aplikantët që i nënshtrohen testit me shkrim që të shmangin posedimin apo përdorimin e këtyre pajisjeve të teknologjisë gjatë procesit të testimit me shkrim, nga fillimi deri në përfundim, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit”, është thënë në komunikatën e policisë.

Policia ka treguar se për çdo fazë të testimit rezultatet do të publikohen në faqen e internetit të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe informatat për vendin, datën dhe kohën e mbajtjes së testimit me shkrim e cila tanimë është publikuar në www.kosovopolice.com

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,…