Ngritja e madhe e Rrahmanit nga Drenica te Napoli

18 janar 2020 | 09:00

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka bërë hapin më të madh në karrierë, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Napolin. 25-vjeçari brenda nëntë vjetësh arriti nga futbolli i izoluar i Kosovës transferimin në njërin prej kampionateve më të fortë në botë, Serinë A. Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka vlerësuar se klubi italian ka bërë një blerje të shkëlqyeshme, derisa futbollisti do të fitojë 1.8 milion euro në sezon.  

Në vitin 2011 futbolli i Kosovës ishte i izoluar dhe skuadrat zhvillonin gara vetëm në rrafshin vendor dhe në këtë kohë doli në skenë ylli Amir Rrahmani, i cili brenda nëntë vjetësh arriti kulmin duke kaluar në njërin prej kampionateve më të fortë në botë, Serinë A. Mbrojtësi luajti dy vjet për skuadrën kuqezi nga Skenderaj, ku u paraqit në 40 ndeshje dhe realizoi një gol.

Paraqitjet e mira të Rrahmanit ndikuan që ai më pas të kalojë në Partizanin e Tiranës për të luajtur mbi 50 ndeshje zyrtare. Shtatlarti për klubin shqiptar realizoi tre gola dhe më pas arriti të transferohet në Kroaci, por fillimisht në një klub jo shumë të fortë si Spliti, por më pas Rrahmani ka luajtur për Lokomotivën dhe Dinamon e Zagrebit. Falë paraqitjeve superiore me klubin kroat, Amir Rrahmani bëri hapin e madh, duke u transferuar në Serinë A, konkretisht te skuadra e ngritur në rangun elitar të futbollit italian, Hellas Verona. Paraqitjet e mira në shtatëmbëdhjetë ndeshje me këtë klub e tërheqjen interesimin e shumë klubeve, por shqiptari nga Kosova vendosi ta pranojë ofertën e Napolit derisa kreu të premten testet mjekësore. Verona e bleu kartonin e Rrahmanit nga Dinamo për 2 milionë dhe e shiti për 15 milionë, derisa mbrojtësi do të paraqitet për Veronën deri në fund të kampionatit dhe në verë do t’i bashkohet Napolit. Menaxheri i Rrahmanit, Adrian Alijaj, është shprehur i lumtur për futbollistin, por edhe për vetën si menaxher që kanë arritur marrëveshje me një klub siç është Napoli. “Të vish në këtë nivel për të pasur interesim nga Napoli është privilegj për lojtarin dhe mua si menaxher. Është punë e vështirë, sakrificë. E prisnim të ndodhte. Është vetëm ana teknike për t’u mbyllur, por të themi se kemi rënë dakord shumë kohë më përpara. Napoli e ka ndjekur që nga fillimi i sezonit lojtarin”, ka thënë Aliaj.

Për shtypin napolitan përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se Napoli ka bërë një blerje të shkëlqyeshme. “Rrahmani është kapiteni i kombëtares sonë, si dhe mbrojtës i kompletuar dhe modern. Përdorë të dyja këmbët dhe është i shkathët me kokë. Ka një vetëbesim të veçantë me topin dhe i pëlqen të avancojë me top në pronësi. U përshtatet shumë mirë nevojave të trajnerëve. Në Dinamo Zagreb luante si mbrojtës i majtë, por mund të luajë çdo kund në mbrojtje. Për shembull, në kombëtaren tonë luan në qendër me mbrojtje të rreshtuar me 4. Napoli ka bërë një blerje të shkëlqyer. Amiri ka një personalitet solid dhe është i qetë. Për pak kohë nën udhëheqjen time është shndërruar në lider të mbrojtjes dhe zhveshtores. Nuk krijon probleme brenda zhveshtores”, ka thënë Challandes. “Zgjedhje e përkryer për ta afruar kjo e Napoli. Akoma nuk kam komunikuar me të që nga Kërshëndellat, por që atëherë më pati treguar për këtë mundësi dhe i pata thënë që me një kalim të tillë do të bënte një hap të madh dhe kualitativ në karrierë. E këshillova vetëm që ta përmbyllte sezonin me Hellas Verona dhe ta fillonte sezonin e ri me Napolin”, ka deklaruar Challandes.

Duhet cekur se 25-vjeçari ka luajtur për të rinjtë e Shqipërisë, më pas edhe për Kombëtaren A në dy ndeshje. Me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, Rrahamani vendosi ta braktisë kombëtaren kuqezi dhe t’u bashkohet “dardanëve”, ku aktualisht është kapiten i Përfaqësueses me të cilën është paraqitur në 29 ndeshje dhe ka realizuar 5 gola.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shukri Buja, një prej të akuzuarve në rastin e “Veteranëve”,…