Një buqetë fjalësh në vend të luleve

21 prill 2020 | 15:36

Shkruan: Bedri ZYBERAJ

Lamtumirë artist!

Ishte viti 1968. Unë isha vetëm 5-vjeçar. Fshati ku po rritesha kishte filluar të delte nga izolimi dhe terri mesjetar. Dy vjet më parë ishte bërë elektrifikimi i tij. Shumica e fshatrave të asaj ane, ende nuk e kishin arrit këtë gjë. Drenofci (emri i fshatit tim) nuk kishte më shumë se 100 familje. Pas elektrifikimit, dy-tri familje që kishin dikë të punësuar në administratën e asaj kohe, kishin blerë televizor. Të kishe një televizor në atë kohë ishte diçka jo vetëm tunduese, por edhe privilegj. Për kohën kjo ishte një arritur e madhe. Unë isha i një familjeje që nuk e kishim këtë mundësi. Mirëpo, në saje të xhaxhait tim Jonuz Zyberajt që atë botë ishte në moshën 18 vjeçare, m’u dha mundësia të shihja se ç’është televizori, kjo arritur misterioze për të parë dhe dëgjuar të tjerët që nuk ishin afër teje.

Xhaxhai, në njërën nga ditët e verës së parë të atij viti, më mori me vete dhe shkuam te familja e Muharem D. Gashit që kishte televizor. Mënyra e organizimit ishte tradicionale dhe televizori në familjet kosovare mbahej në odën e burrave. E di që kisha një lloj frike se çfarë ishte ajo kuti me xham në pjesën e parme.

Edhe më interesante më dukeshin figurat e njerëzve që shfaqeshin në atë pjesën e xhamtë të cilët i shikoja si të gjallë dhe i dëgjoja si të ishin në odë me ne.

Për habinë time, atë ditë, pashë dhe filmin e parë që atë botë nuk e dija se ajo ishte një vepër arti. As të lexoja nuk dija, sepse ende nuk kisha filluar shkollimin.

Ajo që po shikoja në televizor po më shfaqej si një ngjarje e cila më bënte bashkëpjesëmarrës sepse e përjetoja si të ishte reale që ndodhte para syve të mi.

Një njeri i uniformuar me emrin Driton po shkonte në një zonë të thellë malore dhe atje filloi përpjekjet të hapte shkollën. Rolin e këtij personazhi e luante Rikard Ljajra. Këtë, emrin dhe mbiemrin, kuptohet se do ta mësoja, vite e vite më vonë

Por, kjo nuk është e rëndësishme aq sa përjetimi që më zgjoi. Ideja e këtij të riu – Driton Shkabes, nuk pritej mirë nga një numër njerëzish të asaj ane ku heroi ishte kthyer nga lufta. Mirëpo, përkundër kundërshtimit të tyre, ky ia del; ta hap shkollën dhe fillon t’i mësojë fëmijët e asaj ane. Kundërshtimi ishte shumë i fuqishëm dhe për këtë shkak forcat konservatore e vrasin mësuesin.

Ishte diçka që unë e përjetoja shumë rëndë. Sidomos ajo skena kur gjyshi i mësuesit shpall lajmin e kobshëm me thirrje majekrahu: – U vraaaa mëësuessiiiiii!, apo skena tjetër kur kundërshtarët e hapjes së shkollës ia presin flokët Rudines (interpretuar nga Roza Anagnosti) e cila e ndihmonte kryeprotagonistin Dritan Shkabën në rolin misionar të mësuesit.

I tillë më ishte fiksuar ajo figurë simpatike e mësuesit Dritan Shkaba që kishte hapur shkollën në një zonë të thellë malore të krahinës së Mirditës.

Pesë vjet më vonë, me 1973, drejtoria e shkollës së fshatit tim, ku unë tani isha nxënës, organizoi një aktivitet për të na dërguar në Rahavec ta shikojmë një film në Kinemanë e Qytetit. Nuk na patën treguar dhe as që dinim se për ç’film bëhej fjalë. Për habinë time në atë kohë, kur filloi filmi, mu shfaqen ato pamje dhe ai mësuesi të cilin pesë vjet më parë e kisha parë në TV. Nga gjithë ai numër nxënësish që kanë mund të kenë qenë rreth 400 sosh, unë isha i vetmi që filmin po e shikoja për herë të dytë dhe ndihesha shumë i lumtur që mësuesin që e kisha parë më herët e që e mendoja si të vrarë, po më shfaqej prapë i gjallë. Unë, paraprakisht, ua rrëfeja, shokëve që i kisha, afër ngjarjet se si do të zhvilloheshin, por në të njëjtën kohë po përjetoja dhe një lloj torture e cila kushtëzohej sa nga naiviteti i fëmijës aq edhe nga mungesa e informacionit dhe e njohurisë për funksionalitetin e teknologjisë filmike. Assesi nuk isha në gjendje ta kuptoja se si ishte e mundur që mësuesi të cilin e kishin vrarë kur e kisha parë para pesë vjetësh, tani ishte ngritur dhe përsëri po i përsëriste të njëjtat gjëra, nga e para.

U dashtë të kalonte një kohë e unë ta mësoja të fshehtën e kësaj enigme. Paralelisht me këtë mësova dhe titullin e filmit që ishte ,,Komisari i dritës” e po ashtu edhe emrin e artistit që ishte Rikard Ljarja, të cilin do ta shikoja te një mori filmash të tjerë, me role të reja.

Rikard Ljarja, me talentin që e shquante, do të realizonte dhe skaliste me mjeshtri edhe një vistër rolesh si ai i ushtarit te filmi ,,Duel i heshtur”; i Dedes te filmi ,,Rrugë të bardha”; i Rremes te ,,Shtigje lufte” e te një numër i pafund rolesh në filmat e Kinostudios ,,Shqipëria e Re”.

Pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2000, në një ditë gushti, ndërsa po hyja në Hotel Grand, u gjenda përballë një njeriu që deri në atë kohë, e kisha parë vetëm në TV.

Pasi u përshëndeta dhe iu paraqita me emër e mbiemër, e ftova të pinim nga një kafe. Pa asnjë hezitim e pranoi ftesën time dhe shkuam e u ulëm në një vend ku, prania e të tjerëve, nuk do të na pengonte. Sapo u ulëm, menjëherë fillova t’i tregoja për momentin e parë që e kisha parë në TV. I kujtova vitin e largët 1968 dhe filmin ,,Komisari i dritës” të cilin e kisha parë të transmetuar nga TV i Beogradit. I fola dhe për keqardhjen që kisha provuar si fëmijë kur e kishin vrarë mësuesin. Pastaj dhe për përvojën torturuese derisa të njëjtin film e rishikoja për herë të dytë në Kinemanë e qytetit, në Rahavec, pa qenë në gjendje ta kuptoja se si ishte e mundur që njeriu i vrarë të ringrihej e të bënte të njëjtat gjëra, si herën e parë.

Më dëgjonte me kureshtje dhe i bëri përshtypje sidomos kujtesa dhe rrëfimi i atyre që kisha përjetuar. Pasi shprehu një lloj admirimi për këto dy gjëra që reflektonte rrëfimi im, filloi të më tregojë dhe të vërtetën e shfaqjes së atij filmi nga TV Boegradi e që unë nuk e dija.

Më tha se me 1968, në Beograd është mbajtur Festivali ballkanik i filmit. Kinostudio ,,Shqipëria e Re”, në atë festival kishte konkurruar me filmin ,,Komisari i dritës”. Pastaj, TV Bogradi kishte transmetuar filmat konkurrent dhe kjo kishte qenë e vërteta që ma kishte mundësuar mua ta shikoja atë film që në atë kohë, kur ende TVSH-ja nuk kishte transmetim që mund të shikohej në Kosovë. Këtë gjë që e mësova atë ditë, nga Rikard Ljarja, sepse deri në atë moment, asnjëherë nuk kisha arrit ta mësoja të vërtetën se si kishte ardhur deri te transmetimi i atij filmi nga TV Beogradi.

Në Hotel Grand të Prishtinës qëndruam më gjatë se sa që mund të diktojë pirja e një kafeje dhe biseduam shkarazi për shumë e shumë tema.

Herën tjetër, aktorin, regjisorin dhe skenaristin e mirënjohur shqiptar e takova me 28 Nëntor 2012, në Vlorë, ku, unë dhe im nip Misin Voci, kishim shkuar me familjet tona për ta festuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Pas mbarimit të ceremonisë festive, unë dhe Misini, së bashku familjarët që shoqëroheshim nga vlonjati Qmal Hallko me zonjën e tij Mimozën, hymë në një lokal afër Skeles. Aty ishte Rikardi. Ishte vetëm dhe kishte vënë një gotë raki përpara. Unë e ime grua Naxhija (sepse dhe ajo e kujtonte përmes roleve në filmat që kishte parë) nuk mund kaluam pa iu afruar dhe pa e ngjatjetuar dorë për dore. U përshëndetëm dhe i uruam Festën e Flamurit dhe Përvjetorin e 100 të Pavarësisë. Me atë rast na tregoi se pasi kishin bërë një rishikim teknik të filmit ,,Skënderbeu” duke i dhënë ngjyrat (pasi që filmi në krye të herës ka qenë bardh e zi), ai kishte interpretuar tonikisht rolin e Gjergjit.

U përshëndetëm dhe nuk u pamë më.

Mbrëmë kur mësova lajmin për vdekjen e tij, e rikujtova në mënyrë telegrafike këtë histori njohjeje dhe e pashë të nevojshme që ta vë në letër si reagim ndaj kësaj humbjeje për artin dhe sidomos për kinematografinë e kulturën shqiptare. Megjithatë, jam i bindur kontributi i tij do të jetojë edhe pas ikjes së Rikardit në amshim, në saje të asaj galerie rolesh që ai i ka realizuar sa ishte gjallë.

Ky rrëfim dhe këto fjalë le të jenë zëvendësim i një buqete lulesh që do të kisha dëshirë t’ia veja mbi varr në ditën e sotme, por që pandemia na e ka pamundësuar këtë gjë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ty, idhulli im kinematografik i dikurshëm!

U prehsh në paqe dhe u kujtofsh përherë nga njerëzit e artit dhe të kulturës!

Ke jetuar dhe ke jetuar jo kot!

Lamtumirë artist!

Prishtinë,

Më 21.4.2020

Një buqetë fjalësh, në vend të luleve! Lamtumirë artist!Ishte viti 1968. Unë isha vetëm 5…

Gepostet von Bedri Zyberaj am Dienstag, 21. April 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri  në detyrë i Financave dhe Transverve, Besnik Bislimi, ka…