Një kompani franceze e interesuar të investojë 122 milionë euro në Qyqavicë

12 shkurt 2019 | 10:48

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka diskutuar për çështje të rëndësishme për investimet që mund të zhvillohen në këtë komunë.  Lladrovci ka falënderuar ambasadorin francez për vizitën dhe kontributin që Franca ka dhënë për shtetformimin e Kosovës si dhe për mbështetjen që u ka dhënë bizneseve franceze në Kosovë. Ai ka shtuar se Komuna e Drenasit i ka dyert e hapura për investimet franceze në Kosovë dhe çdo vendi tjetër demokratik, në veçanti vendeve mike të Kosovës, gjithmonë duke u bazuar në kornizat ligjore që ka Kosova.

Ndërsa ambasadori Chabert ka falënderuar kryetarin Lladrovci për mikpritjen dhe ka njoftuar se një kompani franceze dëshiron të investojë në projektin për energji të ripërtërishme (mullinj të erës) në vlerë prej 122 milionë eurosh në lokacionin e Qyqavicës ku do të përfshihet edhe territori i Komunës së Drenasit.

Ambasadori francez ka kërkuar që t’u jepet mundësi bizneseve franceze në mënyrë që të mos shkojnë në vende të tjera.

Kryetari Lladrovci ka njoftuar të pranishmit se pesë komunat që përfshihen në zonën e Qyqavicës, vitin e kaluar kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe e kanë ratifikuar këtë memorandum në asambletë e tyre, që kjo pjesë të jetë zonë me interes të veçantë. Ai ka theksuar se duhet shikuar mundësitë nëse lejohet ndërtimi i mullinjve të erës në këtë pjesë, duke u pajtuar edhe me kryetarët e komunave të tjera që janë pjesë e memorandumit.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me qëllim të realizimit të Programit Nacional për Rininë edhe…