O’Connelli u bën thirrje të gjithave partive të përfshihen në dialogun me Serbinë

08 nëntor 2018 | 12:20

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ua ka bërë thirrje të gjitha partive politike parlamentare në vendin tonë që të jenë pjesë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë deklaratë O’Connell e ka dhënë sot në profilin e vet në “Facebook”, ku ka shprehur gatishmërinë që t’u përgjigjet qytetarëve në pyetjet që ata mund të kenë për të si ambasador.

“Duhet të jetë e qartë në fillim se ne mbështesim fuqishëm përpjekjet e përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, për të lehtësuar procesin normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e marrëdhënieve bilaterale, normale dhe pozitive mes dy shteteve i lë mbrapa jo vetëm këto dy shtete por edhe rajonin. Është vërtet pozitive, duke falënderuar edhe angazhimet e presidentit Hashim Thaçi, që tani ka energji dhe fokus në këtë çështje. Është tejet e rëndësishme të kemi një proces që do të përparojë Kosovën, të përmirësoj stabilitetin e rajonit dhe që të jete i zbatueshëm në Kosovë. Debatet e fundit në Kuvend janë hap i mirë, por secila parti duhet të përfshihet dhe të përdorë këtë mundësi për të ardhur deri tek një marrëveshje. Takimet janë veç takime, por çka është e rëndësishme është angazhimi politik duke kontribuar me ide se si të këtë një zgjidhje përfundimtare”, ka thënë ambasadori O’Connell, transmeton “Epoka e re”.

Ndërkaq pyetjes së një qytetari se pse të gjitha shtet e Evropës (përjashtim Gjermaninë) po e përkrahin më shumë Serbinë se sa Kosovën?, O’Connell i është përgjigjur: “Jo bre. Normal që nuk e mbështesim Serbinë më shumë se sa Kosovën. Ne kemi nevojë që edhe Kosova edhe Serbia të jenë dy shtete të forta dhe funksionale me demokraci evropiane dhe marrëdhënie normale mes të dy shteteve. Ky do të ishte shpërblim i madh. Nëse marrëdhëniet zgjidhen, do e ndihmojnë këdo në Kosovë dhe në Serbi. Normal që duhet të zgjidhet në mënyrë të përshtatshme, në linje me vlerat evropiane dhe duke përmirësuar stabilitetin rajonal”.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Toronto konsolidon pozitat në krye të renditjes në Konferencën e…