Osmani, presidentit të Parlamentit Evropian: Drejtësia, parakusht për paqe e pajtim

12 janar 2021 | 15:18

Në vazhdën e takimeve gjatë vizitës në Bruksel, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar David Sassoli, president i Parlamentit Evropian.

Në këtë takim, Osmani ka falënderuar Sassoli për rolin proaktiv të Parlamentit Evropian në mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Gjithashtu, ajo ka falënderuar presidentin Sassoli për rolin e tij në përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në të gjitha përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë̈.

Osmani ka theksuar faktin se Parlamenti Evropian ishte dhe vazhdon të jetë institucioni më i zëshëm në BE në lidhje me Republikën e Kosovës, duke kërkuar jo vetëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe duke e ndihmuar shtetin e Kosovës nëpërmjet iniciativave të ndryshme.

Ajo e ka potencuar në veçanti, nevojën që Parlamenti Evropian të jetë i zëshëm në kërkesën ndaj pesë shteteve jo njohësë të BE-së, në mënyrë që ato ta njohin Republikën e Kosovës.

Më tutje, Osmani ka konfirmuar synimin e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj për kultivimin dhe ruajtjen e vlerave evropiane.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, bashkë me ato të BE-së, duhet të punojnë më shumë që sa më shpejt që është e mundur t’ia ofrojnë perspektivën evropiane popullit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë populli më pro-evropian në kontinent, por i izoluar shkaku i mosliberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, është shprehur Osmani, duke shtuar se drejtësia është parakusht për pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë

“Rajoni ynë do të ecë përpara kur të ketë drejtësi, sepse drejtësia është parakusht për paqe e pajtim”, ka thënë Osmani, duke shtuar se duhet të rritet roli i Kuvendit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sikurse edhe të arrihet unifikim i spektrit politik kosovar lidhur me dialogun.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…