Osmani shfuqizon dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

25 nëntor 19:54

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, konkretisht për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Dekretet ishin nënshkruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

“Për tri rastet e para (Pragë, Lubjanë, Shkup), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte pëlqim nga shteti pritës”, thuhet në njoftimin e presidencës, në të cilin sqarohet se për konsullin në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak”.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme, u.d. presidentja është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës”, bëhet me dije në njoftimin e Presidencës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në…