Osmani: Vlerat e Rugovës janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira

21 janar 2020 | 10:46

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-kryetarin e kësaj partie, Ibrahim Rugova, në 14-vjetorin e vdekjes se tij.

Osmani në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se vlerat e veprimtarisë së presidentit historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi është para vendimeve të rëndësishme politike.

Postimi i plotë i Osmanit:

Në katërmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së udhëheqësit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e moderne, presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë prej urtësisë së tij politike, së pari, për të ndërtuar ura të brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe riparuar urat me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Rugova, sa qe gjallë, na ka mësuar se me miq mund të sendërtohet çdo aspiratë, kurse pa ta, e ardhmja e vendit tonë është e mjegullt. Po ashtu, Rugova na ka lënë testamentin e përhershëm të nevojës për bashkëpunim të brendshëm pa të cilin nuk mund të konsolidojmë shtetin tonë, si dhe domosdonë që të përcjellim rrugën e vullnetin që qytetarët tanë të urtë e të durueshëm e trasojnë për ne, nëpërmjet votës së tyre.

E sot, vlerat e veprimtarisë së presidentit historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi ynë është para vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme.

Në këto ditë të acarta, figura e urtë e tij, na ndihmon që të tejkalojmë vetveten dhe mosdurimin për njëri-tjetrin, drejt bashkimit për interesat e përgjithshme të vendit dhe në respekt të plotë të vullnetit qytetar.

I përhershëm kujtimi për presidentin dhe njeriun e madh të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot shënohet 14-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim…