OVLUÇK-ja i reagon ashpër ZPS-së: Etiketimi i Clarkut dhe Rubinit si të njëanshëm ju zhyt në armiqësi politike
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka reaguar Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke thënë se “etiketimi i figurave si gjeneral Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm” e zhyt këtë institucion në armiqësi politike dhe në absurditet profesional.
Kjo organizatë ka thënë se dëshmitarët e mbrojtjes së liderëve të UÇK-së nuk kanë trilluar histori e as nuk i kanë shërbyer ndonjë agjende personale, por vetëm kanë thënë atë që e ka parë e gjithë bota.
“Sjellje të tilla shfaqin panikun e tyre përballë fakteve që refuzojnë t’i nënshtrohen një vendimi të paracaktuar. Asnjë zyrë prokurorie, sado e paprekshme të jetë nga llogaridhënia, nuk ka të drejtë të përqeshë dëshmitë e ndershme, thjesht sepse ato ia rrëzojnë akuzën”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
Reagimi i plotë:
OVLUÇK hedh poshtë përpjekjen e Prokurorisë Speciale për të diskredituar dëshmitarët ndërkombëtarë që dëshmuan për të vërtetën e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Etiketimi i figurave si gjeneral Wesley Clark dhe James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm, e nxjerr Prokurorinë nga argumentimi ligjor dhe e zhyt në armiqësi politike, madje edhe në absurditet profesional.
Këta dëshmitarë nuk trilluan histori. Nuk i shërbyen asnjë agjende personale. Ajo çfarë deklaruan është ajo që pa e gjithë bota: UÇK-ja zhvilloi luftë të drejtë dhe të domosdoshme kundër shtypjes jugosllave, përkrah një aleance euroatlantike që e njihte dallimin mes çlirimit dhe agresionit. Të sulmosh ata që i qëndruan pranë Kosovës në orën e saj vendimtare, do të thotë të sulmosh vetë historinë që e bëri të mundur lirinë.
Sjellje të tilla shfaqin panikun e tyre përballë fakteve që refuzojnë t’i nënshtrohen një vendimi të paracaktuar. Asnjë zyrë prokurorie, sado e paprekshme të jetë nga llogaridhënia, nuk ka të drejtë të përqeshë dëshmitë e ndershme, thjesht sepse ato ia rrëzojnë akuzën.
Kërkojmë që gjykata t’i trajtojë këto manovra me përbuzjen që meritojnë, duke peshuar provat dhe jo mërinë politike. Historia e kësaj lufte u shkrua me gjak. Arroganca institucionale nuk do të mund ta përmbysë.



