Pacolli: Bushi i ktheu shpresën dhe besimin shqiptarëve të Kosovës

01 dhjetor 2018 | 11:45

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka kujtuar në një postim të gjatë në llogarinë e vet në “Facebook” ish-Presidentin Amerikan George H.W Bush, i cili ncërroi jetë të premten vonë.

Pacolli thotë se Bush i ktheu shpresën dhe besimin shqiptarëve të Kosovës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse jo e gjithë bota demokratike, ishte vendosmërisht në krahun tonë.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e plotë të tij në “Facebook:

Lajm thellësisht pikëllues për secilin prej nesh vdekja e Presidentit Xhorxh Bush.

Secili nga ne e kujton Presidentin Bush si njeriun që i ktheu shpresën dhe besimin shqiptarëve të Kosovës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse jo e gjithë bota demokratike, ishte vendosmërisht në krahun tonë.

Pas çmendurive dhe aventurave kriminale në Slloveni, Kroaci, BeH, më 1992 Bush i vendosi vijën e kuqe Serbisë, duke i tërhequr vërejejten se prekja e vijës së kuqe, Kosovës do të shënoj fundin e asaj ndërmarrje industriale kriminale të saj në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Përmendja e vijës së kuqe ishte inkurajim që ne të vazhdojmë drejt lirisë dhe pavarësisë. Secili prej nesh në Kosovë, ndjehet thellësisht i pikëlluar që sot Shtetet e Bashkuara humbën Presidentin e traditës së sakrificës dhe shërbimit ndaj atdheut dhe botës së lirë.

Pak kush në historinë madhështore të SHBA-ve sikurse Presidenti Xhorxh Bush, ka pasur nderin dhe privilegjin të njihet si hero i luftës së dytë botërore ku shërbeu si pilot, edhe pse për heroizmat e tij në luftë pothuaj ai nuk foli kurrë, student sportist, kongresmen, lider i partisë, diplomat i ditëve të para, drejtues i inteligjencës, Zëvendës President, President.

Presidenti Bush bëri që rënia e një hegjemonie të kalbur sikurse Bashkimi Sovjetik, të mos i shkaktojë botës, atë çfarë kopjet e vogla sikurse Serbia përmes ish Jugosllavisë, mundën t’i shkaktojnë vuajtje e shkatërrime popujve në rajonin tonë.

Xhorxh Bush viteve të fundit forcoi shumë miqësinë me Presidentin Bill Klinton, njeriun i cili dëboi Serbinë dhe Millosheviqin përtej vijës të cilën e kishte caktuar ai me 1992.

Presidenti Bush ishte një humanist i madh, që ndonëse në moshën e shtyrë, me entuziazëm dhe energji i bashkohej nismave humanitare në SHBA dhe përtej.

Sot SHBA-të humben Presidentin model, qytetarin e madh, sot Kosova dhe bota e lirë, humbi njeriun i cili i ktheu shpresën në lirinë të cilën po e jetojmë sot.

Sot ne humbëm mikun e madh të shqiptarëve, ngushëllime popullit amerikan, ngushëllime familjes Bush.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi veteran David Villa do të bashkohet me ish-shokun e…