Kurti: Jam i bindur që njerëzit e lëshojnë Kosovën për shkak të cilësisë së arsimit dhe sistemit të drejtësisë
Kryeministri Albin Kurti sërish i ka bërë komunat përgjegjëse për cilësinë e dobët të arsimit, duke thënë se kjo është një nga arsyet pse qytetarët po migrojnë, qoftë brenda vendit, nga qytetet e tjera drejt Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, qoftë jashtë vendit.
Por komunat nuk kanë qenë të vetmet objekt i kritikave të Kurtit. Ai ka thënë se ka shumë “padrejtësi” në sistemin e drejtësisë, ndërsa për prokurorinë ka deklaruar se ajo “ende” nuk u afrohet standardeve të BE-së.
“Problemi themelor që e kemi me arsimin është decentralizimi i tij. Ky decentralizim i skajshëm nëpër komuna, ku shpeshherë nuk ka mirëqeverisje, ka bërë që të ketë dyndje edhe të brendshme, edhe të jashtme, por edhe ardhje drejt Prishtinës dhe Fushë-Kosovës. Ju e keni parë sot se Fushë Kosova është komunë më e madhe se Peja e Gjakova. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur për shkak të rritjes ekonomike. Klasa e mesme në Kosovë nuk dëshiron që fëmijët e tyre në zona rurale të mbeten në atë arsim që, fatkeqësisht, për shkak të decentralizimit, vuan nga mungesa e cilësisë. Nuk po them gjithkund, por në jo pak vende”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ka nevojë që të kthehen brezi i dytë dhe i tretë i bashkatdhetarëve, për t’i dhënë hov përparimit të vendit me ekspertizën e fituar në vendet perëndimore.
“Prandaj, arsimi dhe cilësia janë sfidat tona kryesore. Kemi nevojë për ardhjen e bashkatdhetarëve, kemi nevojë për një hov përpara. Jam i bindur që njerëzit nuk e lëshojnë Kosovën për shkak të vendit të punës, nuk e lëshojnë Kosovën për shkak se nuk ka siguri apo mbrojtje, por për shkak të cilësisë së arsimit në zonat rurale së pari, meqenëse është i decentralizuar. Dhe, në anën tjetër, për shkak të sistemit të drejtësisë, ku ka aq shumë padrejtësi dhe, përgjithësisht, ende kemi prokurori e cila nuk është as për së afërmi me standardet e BE-së, ku ne synojmë të anëtarësohemi”, ka thënë Kurti.



