‘Për të tetën herë nuk është këtu’, Musliu-Shoshi kërkon llogari për mungesat e Konjufcës në Kuvend

26 nëntor 2026 | 17:00

Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet sesioni i pyetjeve parlamentare, por edhe kësaj radhe në seancë po mungon zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Për mungesën e tij ka reaguar deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila e ka pyetur kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nëse ka ndonjë arsyetim për mungesën e tij.

“Për të tetën herë nuk është këtu zëvendëskryeministri. A do të mund të bëhej një kërkesë zyrtare për të pyetur se kur ka mundësi të jetë në Kuvend, sepse pyetjet po presin dhe ai nuk po gjen kohë të vijë të përgjigjet?”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kanë pranuar një email nga Konjufca, përmes të cilit ai ka njoftuar se, për shkak të angazhimeve zyrtare, nuk mund të marrë pjesë në seancë.

“Do ta konsiderojmë që nga sesioni i ardhshëm, pra nga viti i ardhshëm, të ketë seancë të veçantë për pyetje parlamentare. E kuptoj që ministrat e kanë obligim të përgjigjen. Gjithmonë na informojnë kur nuk mund të vijnë. Megjithatë, do ta trajtojmë këtë çështje”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Shoqatës së të…