Kurti: Kontrata për fabrikën e municionit në Gjakovë është paguar plotësisht, nuk kemi borxhe ndaj MKE-së

26 nëntor 2026 | 17:07

Në Kuvend, kryeministri iu është përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, lidhur me financimin, detyrimet dhe afatet për funksionalizimin e fabrikës së municionit në Gjakovë.

Ndërtimi dhe funksionalizimi i fabrikës së municionit në Gjakovë, projekt për të cilin Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me kompaninë shtetërore turke MKE, ka qenë temë diskutimi gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të pyetjeve parlamentare.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti sqarime lidhur me financimin e projektit, vlerën e marrëveshjes me kompaninë turke, pagesat e realizuara deri më tani, si dhe afatet për përfundimin dhe funksionalizimin e fabrikës.

Ajo ka kërkuar që kryeministri të bëjë të ditur se në cilin program dhe nënprogram buxhetor është paraparë financimi i projektit për vitin 2027, sa është vlera e përgjithshme e detyrimeve financiare dhe sa mjete mbeten për t’u paguar në vitet e ardhshme.

“Pyetja ime është: në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor, me cilin kod dhe me çfarë shume konkrete është paraparë financimi i fabrikës së municionit në Gjakovë për vitin 2027? Sa është vlera e përgjithshme e detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me MKE? Sa mjete janë paguar deri më tani dhe sa detyrime mbesin për vitin 2027 dhe vitet pasuese?”, ka pyetur Kabashi-Ramaj.

Deputetja e PDK-së ka kërkuar gjithashtu sqarime për afatin e funksionalizimit të fabrikës, duke rikujtuar zotimin publik të Kurtit për fillimin e prodhimit deri në fund të vitit 2026.

“Duke pasur parasysh zotimin tuaj publik për fillimin e prodhimit deri në fund të vitit 2026, kërkoj gjithashtu të sqarohet cili është afati aktual për funksionalizimin e fabrikës dhe cilat faza të projektit janë përmbushur deri më tani”, ka deklaruar ajo.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti ka thënë se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe krijimi i kapaciteteve vendore prodhuese janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë.

Ai ka përmendur luftën në Ukrainë si dëshmi të rëndësisë së prodhimit vendor të municionit, duke theksuar se mungesat në tregun ndërkombëtar mund ta vështirësojnë furnizimin, pavarësisht mundësive financiare të shteteve.

“Ndër prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës për fushën e mbrojtjes është zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe krijimi i kapaciteteve vendore prodhuese. Lufta e fundit pas agresionit rus në Ukrainë ka treguar që mund ta kesh paranë e botës, por kur të duhet më së shumti municioni, nuk e blen dot, sepse s’ka kush ta shesë. Prandaj edhe ne në këtë mandat do të përqendrohemi në zhvillimin e kësaj industrie”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë e ka cilësuar kompleksin industrial në Gjakovë si projekt strategjik për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Sipas tij, prodhimi vendor do të ndikojë në rritjen e vetëqëndrueshmërisë së vendit dhe sigurinë e furnizimit me municion për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë.

“Prodhimi vendor do ta forcojë vetëqëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë, në kushtet e mungesave në nivel global të shkaktuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar. Ky kapacitet do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do ta ulë varësinë tonë nga prodhuesit e huaj”, ka thënë Kurti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për marrëveshjen me kompaninë turke MKE, kryeministri ka bërë të ditur se kontrata është e klasifikuar dhe se pagesa për të është realizuar plotësisht.

Ai ka theksuar se Kosova nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj kompanisë turke, ndërsa ka sqaruar se, për shkak të klasifikimit, nuk mund të publikohen hollësitë financiare dhe teknike të marrëveshjes.

“Për këtë projekt është lidhur kontratë e klasifikuar me kompaninë shtetërore turke MKE. Pagesa e kontratës është realizuar plotësisht dhe nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj MKE-së”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka kërkuar mirëkuptim për pamundësinë e publikimit të vlerës së përgjithshme të kontratës, shumës së pagesës, specifikimeve teknike, makinerive dhe detajeve të tjera që lidhen me projektin.

“Për shkak të klasifikimit, vlera e përgjithshme e kontratës, shuma e pagesës, specifikimet teknike, makineritë dhe hollësitë e tjera financiare e teknike nuk mund të bëhen publike në këtë përgjigje dhe unë ju kërkoj ndjesë për këtë”, ka thënë kryeministri.

Kurti ka bërë të ditur gjithashtu se, në kuadër të zhvillimit të projektit, janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga kompani të vendeve anëtare të NATO-s.

“Vlen të theksohet që për zhvillimin e kësaj kontrate janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani, vende anëtare të NATO-s”, është shprehur ai.

Ndërkaq, sa i përket ndarjes buxhetore prej një milion eurosh, të cilën e kishte përmendur deputetja Kabashi-Ramaj, Kurti ka sqaruar se ajo nuk i referohet drejtpërdrejt ndërtimit të fabrikës së municionit, por rrethojës së sigurisë për parkun industrial të mbrojtjes.

Sipas tij, kjo ndarje buxhetore ka të bëjë me sigurimin e zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 120 hektarë tokë.

“Sa u përket ndarjeve buxhetore që i përmendët ju në pyetje, projekti dhe ndarja prej një milion eurosh për rrethojën e sigurisë së parkut industrial të mbrojtjes i referohen rrethojës së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 120 hektarë tokë. Kjo është ndarje e veçantë nga ndërtimi dhe funksionalizimi i kompleksit të prodhimit të municioneve”, ka deklaruar Kurti.

Në fund, kryeministri ka theksuar se kompleksi shtetëror do të ndërtohet në bashkëpunim me kompaninë turke MKE dhe do të ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

“Kompleksi shtetëror do të ketë mbështetje të plotë dhe do të ndërtohet bashkë me MKE-në në kuadër të realizimit të projektit”, ka përfunduar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës,…