Pacolli mirëpret përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Chad dhe Liberi

27 maj 11:55

Zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka mirëpritur zgjerimin e përfaqësimit diplomatik të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, me akreditimin jorezident të ambasadorit të Republikës së Kosovës nga Senegali në këto dy shtete.

“Kosova sot është prezente dhe aktive me përfaqësim diplomatik në kontinentin afrikan si asnjëherë më parë. Me propozimin tonë javën e kaluar është aprovuar themelimi i ambasadës së dytë në Afrikë, e cila do të jetë në lindje të këtij kontinenti, Tanzani. Shtrirja jonë e përfaqësimit diplomatik u zgjerua edhe në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore me akreditimin e ambasadorit tonë jorezident në Republikën e Chadit dhe Republikën e Liberisë”, ka thënë kryediplomati kosovar.

Zgjerimi i përfaqësimit dhe prezencës diplomatike të Republikës së Kosovës ka qenë njëri nga prioritetet kryesore të ministrit Pacolli, që nga fillimi i mandatit të tij.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka fituar për herë të tretë rresht dhe…