Padia e Ramës, Haradinaj: Mua nuk më ka nënshtruar as Millosheviqi

11 maj 2020 | 14:53

Ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka një padi, që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ia ka bërë për shpifje.

Haradinaj ka thënë se nuk ka frikë nga paditë, duke thënë se atë nuk ka mundur ta nënshtrojë as Sllobodan Millosheviqi.

“Rama ka menduar që me këto padi i frikëson njerëzit, i ndalon. Ka menduar se të gjithë jemi në një mënyrë të nënshtruar nga ai. Ndoshta në Shqipëri e praktikon këtë me oponentët  dhe të tjerët”.

“Rama e di që Millosheviqi nuk më ka nënshtruar mua dhe familjen time. Askush kurrë nuk mund të nënshtrojë të drejtën e shqiptarëve dhe të Kosovës”, ka thënë Haradinaj për “oranews.tv”.

Më tutje, Haradinaj ka thënë se e mbron Kosovën për të drejtën historike të shqiptarëve në Ballkan.

“Unë jam shqiptar, unë nuk e mbroj Kosovën vetëm për shqiptarët e Kosovës, e mbroj Kosovën se është e drejtë historike e shqiptarëve në Ballkan. Shqiptarët janë popull që asnjëherë nuk kanë marrë nga të tjerët. Të tjerët kanë marrë nga shqiptarët. Është histori e ditur dhe e dhimbshëm  sa jemi copëtuar dhe zvogëluar në vazhdimësi”.

“Jam i atij brezi që dua ta ndryshoj këtë logjikë. Ka hyrë mijëvjeçari i tretë, UÇK e ka ndryshuar këtë logjikë. Fqinjët tanë që nuk i respektojnë për vlerat e tyre me të cilët dëshirojnë të bashkëjetojnë nuk mund të marrin prej të drejtës tonë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqi kanë punuar për ndarjen e Kosovës.

“Kam një padi aq sa di unë sepse nuk më ka ftuar gjykata, por jo ajo padi, po çka do qoftë tjetër nuk ka për të heshtur të drejtën e shqiptarëve. Ai ka qenë pjesë direkte, ai dhe lobi i tij  dhe sejmenët e tij kanë punuar intensivisht për ndarjen e Kosovës, sikurse ishte edhe zoti Thaçi edhe zoti Vuçiq”.

“Po për fat, qendrat vendimmarrëse, Uashingtoni zyrtar, mekanizmat e sigurisë, ata që e zbatojnë gjeostrategjikë për stabilitet në botë e kanë kuptuar lojën e tyre. I kam thënë edhe zotit Rama edhe të tjerëve, se kufijtë i kanë vendosur çizmet. Nuk i kanë ndarë ende çizmet”.

“Pra nuk mundet kravatat të ndërrojnë kufijtë sa herë duan pa u marrë vesh me çizmet. Çizmet i kanë vendosur kufijtë”, është shprehur Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga sot Shqipëria ka hyrë në një fazë me lehtësime…