Pahor në Serbi pyetet për bashkimin mes Kosovës e Shqipërisë, ky është qëndrimi i tij

28 nëntor 2021 | 21:49

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor po qëndron për një vizitë në Serbi ku është pyetur lidhur me deklaratat e kryeministrave, Albin Kurti e Edi Rama për bashkim mes Kosovës e Shqipërisë, gjë për të cilën thotë se nuk ka autoritet ta komentojë, por që qëndrime të tilla të liderëve përbëjnë shqetësim.

Pahor gjatë vizitës së tij të dielën në Serbi ka deklaruar se idetë për ndryshimin e kufijve rrezikojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Pyetur nga gazetarët për deklaratat e fundit të Kurtit dhe Ramës për bashkim mes dy vendeve, Pahor ka thënë se “nuk ka mandat apo autoritet të përgjigjet në emër të BE-së”.

Megjithatë, ai është i qëndrimit se deklarata të tillë përbëjnë shqetësim të thellë.

Ndërkohë, këto reagime vijnë pasi të dy kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë deklaruan se në rast se do të bëhej një referendum për bashkim mes dy vendeve, që të dy do të votonin pro një gjëje të tillë.

Pahor në anën tjetër, pritet që të hënën të qëndrojë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takimi i Pahorit me Osmanin pritet të fillojë në ora 10:00, ndërsa me Kurtin në ora 11:20. Ai do të takohet me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari rreth orës 12:10.

Zyra e tij bëri të ditur se qëllimi i takimeve dhe bisedimeve me përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës është shkëmbimi i qëndrimeve për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, situata në Ballkanin Perëndimor, perspektiva evropiane dhe përgatitja e samitit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijun.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e mëdha të shiut që kanë rënë gjatë ditës…