Pakoja emergjente fiskale vlerësohet e mangët në adresimin e nevojave të sektorit privat

10 prill 2020 | 12:44

Sektori privat si kontribuuesi më i madh në zhvillimin ekonomik të vendit është goditur jashtëzakonisht shumë nga përhapja e pandemisë COVID-1. Sidoqoftë masat e marra përmes Pakos emergjente fiskale nga qeveria, edhe pse të mirëseardhura, po rezultojnë të mangëta në parandalimin e dëmeve, gjersa në aspektin e kompensimit nuk po i trajtojnë drejtë punëtorët e sektorit privat në krahasim me ata të sektorit publik.

Kështu është thënë gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku është vlerësuar ndikimi i Pakos emergjente fiskale.

Fikret Havollli nga kompania tregtuese “Orbico”, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së sektorit privat në procese të dialogimit, me ç’rast deklaruar se vendimet që rrjedhin nga Pakoja Fiskale Emergjente do të duhej të ishin bërë në koordinim me komunitetin e biznesit, në mënyrë që efekti i saj të ishte zingjiror dhe i qëndrueshëm.

Ai ka thënë se shuma e ndarë dhe strukturimi apo përmbajtja e pakos janë dy pika të cilat kanë nevojë të adresohen më tutje.

Sipas Havollit, shuma e ndarë për përballimin e kësaj faze është shumë e vogël në krahasim me shtetet e tjera, dhe efekti i saj do të vërehet fare pak.

Ndërsa Milaim Abdullahu nga “Santefarm”, njëherësh edhe përfaqësues i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës, ka thënë se si pasojë e panikut të shkaktuar nga pandemia, sektori farmaceutik ka hasur një rritje të dukshme disa ditore të kërkesës, e cila pastaj është përcjellë me një rënie drastike pas krijimit të rezervave për medikamente nga qytetarët.

Ai ka thënë se qeveritë duhet të ndalojnë mostrajtimin e bizneseve si palë të interesit, dhe ka shprehur dëshpërimin e tij mbi shpalosjen e Pakos fiskale emergjente pa asnjë konsultim me sektorin privat.

Në anën tjetër, Sami Makolli nga kompania “Rikon”, ka thënë se masat e dala nga kjo pako nuk kanë qenë mirë të sqaruara, gjersa ekziston nevoja për një analizë më të hollësishme që biznesi të e ndjejë efektin e saj. Megjithëse, Makolli është shprehur se çdo ndihmesë është e mirëseardhur, por është shprehur skeptik për mënyrën e aplikimit të pakos, meqenëse sipas tij mungojnë informata shtesë mbi procedurat e aplikimit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Akademik Rexhep Qosja Emisioni “Fshatrat e Shqipërisë” i televizionit…