Palët në Shqipëri po duan të përfitojnë politikisht nga kriza, jo ta zgjidhin atë

14 qershor 12:56

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, politologu Afrim Krasniqi, ka thënë se çelësi i zgjedhjes së krizës në Shqipëri mund të jetë krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe se nisja e hetimeve serioze për politikanët e korruptuar që në Shqipëri kanë edhe pozita të larta drejtuese në secilën parti politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se zgjidhje mund të jetë edhe përvoja maqedonase dhe greke për qeveri teknike në prag të zgjedhjeve parlamentare, afrimi i zgjedhjeve parlamentare më 2020, si dhe reformimi i plotë i sistemit zgjedhor dhe i legjislacionit mbi partitë politike.

“Pa këto masa çdo kompromis tjetër është afatshkurtër dhe burim për krizën e radhës”, është shprehur Krasniqi. Sipas tij, presidenti, qeveria dhe opozita më shumë po mendojnë të përfitojnë politikisht nga kriza sesa ta zgjidhin atë.

“Qoftë anulimi i datës, qoftë protestat pa objektiv të qartë, qoftë edhe këmbëngulja e kryeministrit për të bërë zgjedhje me një kandidat dhe vetëm me anëtarët e partisë së tij, nuk e zgjidhin krizën dhe as nuk tregojnë lidership, seriozitet dhe përgjegjshmëri”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se akti i presidentit për datën e zgjedhjeve është më shumë akt politik sesa presidencial.

Megjithatë, ai ka theksuar se formalisht Kushtetuta nuk e njeh këtë kompetencë por, nga ana tjetër, kreu i shtetit nuk mund të qëndrojë pasiv nëse vendi hyn në një spirale krize politike.

“Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese askush, përfshirë Kuvendin, nuk ka të drejtë të vendosë nëse dekreti përbën shkelje dhe nëse data mbetet. Vendimi nga KQZ-ja për mosnjohjen e tij është sa absurd aq edhe joproduktiv për vetë integritetin e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, arsyetimit të dekretit i mungoi platforma dhe propozimi se si mund të shkohet te zgjidhja”, ka theksuar ai.

Sipas Krasniqit, presidenti nuk do të mund të rrëzohet për shkak se kjo procedurë kërkon të paktën një muaj e gjysmë deri në dy muaj kohë kalendarike dhe në fund kërkon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk është funksionale deri në shtator. “PS-ja po përdor retorikë shkarkimi për të bërë presion dhe për ta ushqyer politikën e ditës, por e ka të qartë se shkarkimi i presidentit më shumë e dëmton sesa e ndihmon atë dhe krizën në vend”, ka deklaruar Krasniqi.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike në Shqipëri, konkretisht rreth shfuqizimit të dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit nga ana e presidentit Meta dhe këmbëngulësisë së kryeministrit Rama që zgjedhjet lokale të mbahen me këtë datë?
Krasniqi: Akti i presidentit për datën e zgjedhjeve është më shumë akt politik sesa presidencial. Formalisht Kushtetuta nuk e njeh këtë kompetencë por, nga ana tjetër, kreu i shtetit nuk mund të qëndrojë pasiv nëse vendi hyn në një spirale krize politike. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese askush, përfshirë Kuvendin, nuk ka të drejtë të vendosë nëse dekreti përbën shkelje dhe nëse data mbetet. Vendimi nga KQZ-ja për mosnjohjen e tij është sa absurd aq edhe jo produktiv për vetë integritetin e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, arsyetimit të dekretit i mungoi platforma dhe propozimi se si mund të shkohet te zgjidhja. Nuk ka ende një platformë bisedimesh e dialogu politik dhe duket se presidenti, qeveria dhe opozita më shumë po mendojnë të përfitojnë politikisht nga kriza sesa ta zgjidhin atë. Qoftë anulimi i datës, qoftë protestat pa objektiv të qartë, qoftë edhe këmbëngulja e kryeministrit për të bërë zgjedhje me një kandidat dhe vetëm me anëtarët e partisë së tij, nuk e zgjidhin krizën dhe as nuk tregojnë lidership, seriozitet dhe përgjegjshmëri.

“Epoka e re”: Pas qëndrimit të palëkundur të Metës, se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund, PS-ja ka nisur proceduarat për shkarkimin e tij. A mund t’i sigurojë PS-ja votat për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit?
Krasniqi: Jo. Procedura e shkarkimit të presidentit kërkon të paktën një muaj e gjysmë deri në dy muaj kohë kalendarike dhe në fund kërkon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk është funksionale aktualisht dhe deri në shtator. PS-ja po përdor retorikë shkarkimi për të bërë presion dhe për ta ushqyer politikën e ditës, por e ka të qartë se shkarkimi i presidentit më shumë e dëmton sesa e ndihmon atë dhe krizën në vend. Nga ana tjetër, vetë presidenti duket se më rehat ndihet në pozitën e udhëheqësit politik në LSI sesa në zyrën e presidentit. E gjithë kjo është një paradoks dhe një tregues sesa joseriozë janë politikanët në Shqipëri dhe sesa klienteliste dhe e personalizuar është jeta politike dhe institucionale këtu.

“Epoka e re”: A mendoni se në këtë situatë do të duhej që të ketë një angazhim më të madh të faktorit ndërkombëtar në Tiranë, që palët të arrijnë pajtim për një datë të zgjedhjeve?
Krasniqi: Kjo është kriza më me pak ndërmjetësime ndërkombëtare në dy dekadat e fundit. Ka tri arsye për këtë: e para, është krizë unike sepse opozita nuk është pjesë e jetës institucionale në parlament dhe se një parti qeveris e vetme vendin. Arsyeja e dytë është se koha ka treguar se të njëjtit liderë politikë e kanë përdorur presionin e negocimin ndërkombëtar jo për të zgjidhur e parandaluar kriza, por për të bërë marrëveshje të personalizuara midis tyre, siç ka ndodhur më 2007, 2008, 2012, 2015, 2017. Ndaj ndërkombëtarët nuk duan të përdoren më nga liderit tanë lokalë. Arsyeja e tretë është diferenca në këndvështrime midis kancelarive kryesore ndërkombëtare ndaj Shqipërisë. Ka vende që kërkojnë stabilitet me çdo çmim, pra mbështetje qeverisë dhe mazhorancës, ka vende që kërkojnë hapa pas për secilën palë dhe më shumë demokraci funksionale. Palët në Shqipëri po përdorin diferenca të tilla për të gjetur alibi mbështetëse. Nga ana tjetër, BE-ja ka prioritete të tjera dhe disa vende kritike ndaj Shqipërisë e kanë më të lehtë ta arsyetojnë votën e tyre kundër me vetë zhvillimet që po u dhurojmë nga Tirana.

“Epoka e re”: Si e shihni ju rrjedhën e këtyre ngjarjeve?
Krasniqi: Unë mendoj se çelësi i ndryshimit do të jetë krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nisja e hetimeve serioze për politikanët e korruptuar që në Shqipëri kanë edhe pozita ta larta drejtuese në secilën parti politike. Po ashtu, zgjidhje mund të jetë përvoja maqedonase dhe greke për qeveri teknike në prag të zgjedhjeve parlamentare, afrimi i zgjedhjeve parlamentare më 2020, si dhe reformimi i plotë i sistemit zgjedhor dhe i legjislacionit mbi partitë politike. Pa këto masa çdo kompromis tjetër është afatshkurtër dhe burim për krizën e radhës. Në çdo rast një pakt i tillë afatgjatë për reforma dhe integrim duhet ta marrë në konsideratë modelin italian të ca viteve më parë për kufizimin e mundësive që lideri kryesor politik ta mbajë postin e kryeministrit, një zgjidhje që ka mbështetje të gjerë te qytetarët shqiptarë dhe që kërkon presion edhe më të madh nga Brukseli, Uashingtoni dhe Berlini.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, PD-ja ka mbajtur disa protesta kundër qeverisjes së Edi Ramës. A janë të drejta këto protesta, edhe pse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë i kanë kundërshtuar për mënyrën se si kanë përfunduar, duke përjashtuar dy prej tyre që kanë qenë më paqësore?
Krasniqi: Opozita ka disa kërkesa të drejta dhe faktet publike ia legjitimojnë retorikën e tyre, sidomos rastet flagrante të trafikut të votës apo lidhjeve midis politikës e krimit të organizuar. Por, nga ana tjetër, opozita gaboi kur dorëzoi apriori mandatet pa plan B dhe kur, midis nevojës për zgjerim të mbështetjes qytetare në vend dhe ndërkombëtare në lobim, zgjodhi të fokusohet në bazën e saj militante dhe në ecjen në drejtim të kundërt nga këshillat perëndimore. Tani që sjellja e saj është fakt, ajo duhet të jetë e gatshme të tregojë se do t’i bëjë të njëjtat sakrifica që ia kërkon edhe palës tjetër, duke filluar nga heqja dorë e synimit për ta ndryshuar qeverinë pa ndryshuar sistemin korruptiv politik, si dhe ofrimi i një modeli të ri qeverisës më demokratik, më transparent, më llogaridhënies dhe më legjitim, ofertë që mund të kërkojë reformim të thellë të vetë lidershipit të opozitës dhe ndryshim të elitave e mentaliteteve drejtuese brenda saj.

“Epoka e re”: Si e shihni të ardhmen politike të PS-së, PD-së dhe LSI-së?
Krasniqi: Nuk pres zgjidhje nga parti apo politikanë që janë burim i krizave. Këto parti kanë nevojë për reformim të thellë, për profilizim dhe për demokratizim, pra për t’u bërë realisht ‘parti politike’ sipas konceptit kushtetues dhe evropian, për kalim nga modele klienteliste në funksion të liderit apo rrethit mbështetës të tij në alternativa reale demokratike. Ato kanë nevojë edhe për më shumë konkurrencë, në radhë të parë duke krijuar mundësinë që qytetarët të zgjedhin vetë deputetët e presidentin dhe që në Shqipëri të ketë hapësirë për prurje të reja politike. Nëse kjo nuk ndodh dhe tri partitë vijojnë të jenë të tilla në koncept e funksion, kriza e fundit nuk do të jetë e fundit dhe se progresi demokratik do të ketë stanjacion shumë më të gjatë sesa 2-5 apo 7 vjetët e ardhshëm.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli televiziv Kim Kardashian ishte e pranishme në shtëpinë e…