Parlamenti Evropian çon përpara reformat për të drejtën e autorit

12 shtator 23:31

Parlamenti Europian arriti sot në një kompromis lidhur me reformat e diskutueshme, që synojnë përshtatjen e ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të autorit me zhvillimet e epokës dixhitale, duke i hapuar kështu rrugë fillimit të negociatave mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Ky është një sinjal i mirë për industrinë krijuese të Europës,” u shpreh europarlamentari Axel Voss, i cili është edhe relatori i projektligjit.

Reformat e propozuara nga Komisioni Europian në vitin 2016 synojnë të garantojnë që artistët, publicistët dhe botuesit të marrin shpërblimin e merituar për krijimet e tyre të botuara në internet.

Ndërkohë, kritikët pretentojnë se reformat në fjalë do të dëmtojnë shkëmbimin e lirë të informacionit. Disa media i kanë përshkruar reformat si lajmëtare “të vdekjes së internetit”.

Europarlamentarët ranë sot dakord që platformat e medias sociale do të jenë përgjegjëse për të garantuar që përmbajtja e materialeve të tyre në internet nuk bie ndesh me rregullat e të drejtës së autorit.

Teksti i aprovuar në Parlament nuk autorizon përdorimin e filtrave dhe algoritmeve të diskutueshëm të ngarkimit në internet, që kontrollojnë paraprakisht përmbajtjen e shkarkuar nga përdoruesit për të siguruar që është në përputhje me rregullat mbi të drejtën e autorit.

Megjithatë, kritikët argumentojnë që gjigantët e internetit si “YouTube” i vendosin vetë këto filtra në mënyrë që t’u përmbahen rregullave.

Propozimi i mbështetur nga Parlamenti Europian do të kufizojë edhe më tej mundësitë e motorëve të kërkimit si “Google” që të përdorin titujt e lajmeve, apo fragmente tekstesh të ndryshme pa kërkuar më parë aprovim, apo pa paguar për përmbajtjen.

“European Digital Rights”, një grup që promovon të drejtat civile, deklaroi se kompromisi i gjetur në Parlament përbënte “një akt të pashembullt vetëdëmtimi njëkohësisht për qytetarët dhe bizneset europiane”, përcjell Atsh.

Por presidenti francez Emmanuel Macron e përshëndeti marrëveshjen si “një hap i madh përpara për Europën”, duke njohur ndërkohë të drejtën për informim dhe krijimtari kulturore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrugët në zonat e brigjeve lindore amerikane janë të mbingarkuara…