Pasurohen “Dardanët”

21 nëntor 2018 | 21:29

Përfaqësuesja e Kosovës është pasuruar me 500 mijë euro nga Qeveria e Kosovës dhe 750 mijë euro nga UEFA, pas suksesit të arritur në Ligën e Kombeve. Ndërsa për pjesëmarrje Kosova merr edhe 750 mijë euro të tjera.

Suksesi historik i Përfaqësueses së Kosovës, i arritur në Ligën e Kombeve, i ka sjellë edhe përfitime të mira financiare Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë vendim që ta shpërblejë Përfaqësuesen me 500 mijë euro. Në fakt, këtë propozim e kishin bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Kryetari Veseli ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës që ka mbështetur propozimin e tij për të ndarë 500 mijë euro për përfaqësuesen e Kosovës në futboll për sukseset e arritura deri më tash. Ai ka thënë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në shumë sporte, andaj edhe përkrahja për sportistët dhe investimet në infrastrukturën sportive do të rriten. “Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që mbështeti propozimin tim për të ndarë 500 mijë euro për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, për sukseset e arritura deri më tash. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në shumë sporte, andaj edhe përkrahja për sportistët dhe investimet në infrastrukturën sportive do të rriten”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kjo nuk është e tëra, pasi “Dardanët” i kanë argëtuar rreth një milion euro edhe nga UEFA. Kosova do t’i fitojë saktësisht 750 mijë euro shtesë nga UEFA, duke u bazuar në rregulloret financiare të organit qeverisës së futbollit. Kuptohet, kjo shumë do t’i shtohet shumës prej 750 mijë eurove që Kosova do t’i marrë nga UEFA vetëm për pjesëmarrje në këtë garë, që nënkupton se shuma e përgjithshme që do ta inkasojë FFK-ja nga UEFA është 1.5 milion euro.

Kosova arriti të dalë e para në grupin e 3 të Ligës D, pasi në ndeshjen e fundit e mundi Azerbajxhanin, me rezultat 4-0.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur për taksën e…