Skandal me babanë e Messit
Një prezantuese argjentinase është detyruar të largohet nga televizioni pasi raportoi gabimisht se babai i Lionel Messit kishte ndërruar jetë gjatë Kupës së Botës.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në Argjentinë, veçanërisht pasi lajmi i rremë u publikua vetëm një ditë pas paraqitjes spektakolare të Lionel Messi në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë.
Messi shënoi tre gola në atë takim, duke barazuar rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e Kupës së Botës dhe duke u bërë lojtari më i moshuar që realizon “hat-trick” në këtë kompeticion.
Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, prezantuesja Florencia Peña deklaroi gjatë një transmetimi live se Jorge Messi kishte vdekur dhe se ylli argjentinas do të detyrohej të largohej nga Botërori.
Familja Messi reagoi menjëherë
Pas përhapjes së lajmit, familja Messi publikoi një deklaratë ku konfirmoi se Jorge Messi është gjallë, edhe pse po përballet me një problem shëndetësor që nuk është bërë publik.
“Jorge Messi është nën mbikëqyrje mjekësore, po rikuperohet dhe gjendja e tij po përmirësohet”, thuhej në reagim.
Familja shprehu gjithashtu pakënaqësinë e thellë për mënyrën se si u trajtua një çështje private familjare pa verifikime të mjaftueshme.
Prezantuesja kërkon falje
Përballë kritikave të shumta, Peña publikoi një mesazh në rrjetet sociale ku kërkoi falje familjes Messi.
Ajo pretendoi se informacioni i ishte dhënë gjatë transmetimit nga ekipi i produksionit dhe se kishte besuar se lajmi ishte verifikuar.
“Kjo informatë e rreme më është dhënë drejtpërdrejt në transmetim si e konfirmuar nga produksioni dhe unë i besova. Më vjen shumë keq për dhimbjen që mund t’i kem shkaktuar familjes Messi”, shkroi ajo.
Prezantuesja shtoi se ndien turp për gabimin dhe se për këtë arsye kishte vendosur të largohej nga programi.
Televizioni shkarkon përgjegjësit
Edhe televizioni Luzu TV reagoi me një deklaratë zyrtare, duke e cilësuar të papranueshme publikimin e informacionit të ndjeshëm pa verifikim paraprak.
Drejtuesit e televizionit njoftuan se kanë larguar nga puna personat përgjegjës për incidentin dhe ritheksuan angazhimin për raportim të përgjegjshëm dhe profesional.
Skandali ka shkaktuar debat të madh në Argjentinë, ndërsa familja Messi vazhdon të kërkojë respekt për privatësinë e saj në këtë periudhë të vështirë.



