Peci liron nga detyra këshilltarin e tij që u arrestua për korrupsion

14 korrik 2023 | 15:34

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka liruar të premten nga detyra këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj. Vendimi vjen pas arrestimit të tij nën dyshimet për korrupsion.

“Këshilltari do të largohet deri sa drejtësia të thotë fjalën e fundit për këtë rast”, ka thënë Flutura Mustafa, shefe e kabinetit të ministrit Peci për “Indeksonline”

Prokuroria Speciale ka njoftuar se policia ka realizuar të premten bastisje në pronat e Faruk Mujkës, kryeshef i “Ibër-Lepencit” dhe Hysen Muzliukajt, këshilltar i ministrit Faton Peci.

Ata dyshohen për korrupsion në kohën kur ishin pjesë e qeverisjes së Agim Bahtirit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot është lëshuar Urdhëresa për bastisje nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve me inicialet F.M. dhe H.M. Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë thënë se 289…