Për nëntë muaj 90 persona humben jetën në aksidente komunikacioni

24 tetor 2018 | 11:45

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) është duke përcjell në mënyrë të vazhdueshme situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në periudhën janar-shtator të këtij viti, 90 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacionin rrugor, prej të cilëve 17 këmbësorë, 35 shoferë dhe 38 pasagjerë.

Ky institut vite me radhë ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qindra persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësuese pasi shumica e viktimave janë këmbësorë.

“Deri tani është ndërmarrë shumë pak në parandalimin e tyre. Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes”, është thënë në njoftimin e IKShPK-së.

Instituti në fjalë ka vlerësuar se qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor.

“Të autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirë të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve”, është thënë në këtë njoftim.

Me këtë rast, IKShPK-ja ka rekomanduar përpilimin e një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimin me procedura urgjente nga Kuvendi i Kosovës dhe zbatimin me rigorozitet të Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.

Po ashtu, ky institut ka rekomanduar që në nëpërmjet programeve të ndryshme edukativo-informative të vetëdijesohen qytetarët e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë, të angazhohen masmediat në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve, të bëhet largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik i automjeteve dhe autoshkollave të jetë më rigorozë, të bëhen kontrolle mjekësore për vozitësit, të respektohen shenjat e komunikacionit nga vozitësit dhe qytetarët, etj.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e skuadrës së Eintracht Frankfurtit duket se janë bindur…