Pesha e arkivolit

25 shtator 20:06

ARIF MOLLIQI

Pesha e arkivolit

Ditën e varrimit
Njerëzit bëjnë mahi të vogla
Mbi fytyrë ma hedhin një grusht dhe
me arkivolin e mbyllur qeshin

Besomëni, më keni zënë ngushtë
mbase jam i vetmi njeri që nuk flas
dhe për herë të parë rri vetëm
në një shtëpi pa dritare

Varrmihësit s’kanë tjetër detyrë
Veç ta kërkojnë llogarinë e vet
E nesërmja është vonë

Aq lehtë
E zeza nuk bëhet e bardhë

Provë për një dilemë

A është qeni i biri ujkut
a ujku i biri qenit
Krejt njësoi
të dytë janë mishngrënës

A është njeriu i biri djallit
a djalli i biri njeriut
Krejt njësoi
të dytë e ngatërrojnë botën

A është hajni para ministrit
a ministri para hajnit
Krejt njësoi
të dytë betohen në gjuhën e dhelprës

 Ç’rëndësi ka kush këndon

Këndoi aq gjatë
Sa e lodhi bjeshkën dhe detin
Asnjë yll s’mbeti në natë
Nuk u ndal
Derisa mori n’thua në këngën e vet

Ata që e dëgjonin
iu kishte tharë goja
duke bërtitur:
o lëreni bre atë këngë
se u tha një det i tërë

Ç’rëndësi ka kush po këndon
Kur askujt asgjë
S’do t’i lë trashëgim
kjo kënga juaj e padurueshme
gjithsesi

Arti i kolaboracionistit

Kur ra ujku në torishtë
ne i numëruam delet
veç bariu me dhëmbët e rënë
doli tepër

Dikush kurrë s’do të dijë
pse asgjë s’i ndodhi qenit
ai kishte shkuar te Lëndina e Qyqeve
i mbështjell me lëkur dashi

Delet që shpëtuan
i akuzuan për kolaboracioniste
kjo është loja e njeriut
kur qenin e keq e mban afër vetes

ose,
kur qeni dhe ujku çojnë dashuri
në oborrin tonë

Arti i lehjes

Ndalohet rreptësisht
me leh si qeni
se nuk e dallojmë ujkun te dera

Ka kohë që s’po e kuptojmë
kush në kënd po leh
qeni në njeriun
a njeriu në qenin

Derisa të mësohemi me të lehura
njeriu do ta hanë kopenë
e ujku le të ankohet
në “magna carta libertatum”

Në mungesë të ujkut
edhe qeni i hanë delet
ia lëshon bariut mjekrën
gjoja e bëri nga dashuria…

Verë, 2019

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina, me emërimin e Armend Dallkut në postin e…