Plazhe bosh dhe pa pushues, çfarë po ndodh në Himarë 2 ditë pas tragjedisë

04 gusht 2022 | 11:03

Situata paraqitet më e qetë në plazhin e Himarës pas tragjedisë që i mori jetën 7-vjeçares teksa lahej në breg të detit, por numri i pushuesve vijon të jetë i vogël, ndërsa në vendin ku kishte humbur jetën e mitura ishin vendosur lule dhe një kukull e vogël.

Gazetari i Euroenews Albana, Ardit Hoxha i cili raportoi nga plazhi i Potamit tha se të vetmet mjete uji të enjten ishin ato të policisë që bënin patrullimet dhe varkat jomotorike.

“Nuk ka skafe dhe gomone siç mund të ndodhte para se të shënohej ngjarja e rëndë që i mori jetën një fëmijë”, raportoi ai.

Gazetari Hoxha tha se kishte mundur të kontaktonte me biznese të ndryshme në Himarë dhe gjithë vijën bregdetare të Jugut të cilët i kishin konfirmuar se shumë njerëz i kanë mbyllur para kohe ose i kanë shtyrë pushimet pas tragjedisë së ndodhur dy ditë më parë në plazhin e Potamit që ka shënjuar jetën e të gjithëve.

Një vajzë 7-vjeçare humbi jetën mesditën e 2 gushtit në Himarë, teksa pushonte me familjen e saj. E mitura u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një gomone që drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.

Arjan Tase, ish-shef i komisariatit të Himarës është arrestuar dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia.

Në dëshminë e tij, Tase ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin.

Në këtë moment ka goditur vajzën 7-vjeçare e cila ka humbur jetën menjëherë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
70 pacientë janë duke marrë trajtim mjekësor nga Covid-19 në…