Poezi nga Adem Gashi

23 janar 2022 | 09:21

ADEM GASHI

 

Deklarimi i pasurisë

 

megjithëse s’isha i fundit as i pari

më erdhi paksa e çuditshme

kur nëpunësit e agjencisë

më sollën ca fleta në formë formulari

 

e tundshme e patundshme

e trashëguar e prejardhur

si trajta shkrimesh etruske

ç’ishte ai grumbull fjalësh

 

e mora vesh më në fund

çuditërisht qenkam i pasur

paskam një botë me libra

një dell marrëzie poetike

dhe ty

e dashur

 

Puthje a vrasje

 

në një bistro krejt i vetëm rri (me ty)

pi kafe tymos cigare

jashtë xhamave bie shi

njerëzit me e pa ombrella

nxitojnë drejt fundit, drejt një fundi

ku sos a rinis jeta

 

pres dhe unë fundin, pa nxitim

krejt në paqe

ja, mund të vijë ai, vrasësi me thikë

si vdekja

ose mund të vish ti,

të të puth a të më puthësh në faqe

 

Asgjë e veçantë

 

është e premte, mund të ishte e diel a e hënë

ka rënë nata, pak erë, qiell i murrmë e blu

ndihem i qetë, s’kam asgjë për të thënë,

të papriturën ma sjell veç kujtimi i syve tu

 

shpesh kemi ndenjur, kemi folur e heshtur,

me kafe përpara, herë kot e herë me shkas

dhe jam përpjekur, jam munduar pareshtur

të gjej kodin e fshehur të bebëzave e t’u flas

 

ç’dramë luhet matanë, ç’aksident, ç’tragjedi

ndoshta hiçgjë pos mjegullës së tymtë e territ,

e megjithatë, me shkronja morsi lexoj: dashuri

aty ku nis e mbaron zona tunduese e misterit

 

Armiqtë

 

nganjëherë flitet për të brendshmit e të jashtmit

nganjëherë veç e veç

po krahasimi vjen i panevojshëm

se cili është më i keq

 

në robëri janë ata të gjithëpranishmit

dhe s’ke pse u kërkon adresë

krejt e kundërta ndodh në liri e paqe

gjithçka nën rrogoz

asgjë në sipërfaqe

 

ç’kompozitë e çuditshme: ar + miq

mbase etimoni duhet kërkuar gjetkë e ndryshe:

arm/ë + ik (iq)

ose më thjesht e heshtur

ata që me zjarr e hekur na duan të vdekur

 

Po s’erdhe sot

 

po s’erdhe sot do të vish nesër

po s’erdhe nesër do të vish një ditë

dhe terri do të jetë terr

dhe drita dritë

 

unë do ta mashtroj vetën

se jam po ai

shndërruar në pritje dhe pritë

 

do të vish një ditë patjetër

dhe bota do të të duket e re

sado qoftë e vjetër

 

po s’qemë ne do të jenë sozitë tona

duke u puthur si në një libër

në librin e amshimit

 

I vetëm

 

Iku gruaja me shoqet diku

Në ndonjë ndejë a takim feste, ndoshta

Djali me nusen e nipçen bënë tutje-tëhu

Fundjavë pushimi pra, orë të plogështa.

 

Mbetur vetëm u ndjeva si një I a si një U

Në një hapësirë me ajër bosh e pa gjë

Fika një nga një aparatet kuturu

Telefonin, televizorin dhe gjërat me zë.

 

Tani jam krejtësisht i vetëm, – thashë

I vetëm në qetësi e paqe me veten,

S’flas me njeri, asgjë s’shoh e s’pashë,

Po i heq pra lakrorit petën.

 

Jam me të gjithë ata që më duan e i dua,

Që i dua e s’më duan fare, mosprani

Me ata që s’i desha e më deshën, a thua?

Mbase ndodhka edhe kjo çudi!

 

I vetëm mbeta, ikën të tjerët

Gruaja, djali, nusja me nipin e vogël,

Sekush u kujtua t’i ndizte fenerët,

Botë e madhe ç’m’u bëre gogël!

 

Papritmas autoportreti faqe murit

M’u shfaq si një sfinks, si një demon,

Film a trill a thjesht lodhje e trurit,

Përmasë e katërt e botës a hon?

 

I vetëm: vetë i dytë a vetë i njëmijtë!?

 

Diçka rreth e brenda nesh

 

sesi e patëm bërë një piramidë prej hijesh

 

po vërtitet tash nata me ferexhe të zezë

e s’di ku të fshihet

një shqetësim ke dhe ti për minutat që ikin

e s’di ç’të bësh nesër

 

një shqetësim kam dhe unë

ndaj ndeza dritat

që dita të më mbërthejë në gjumë

 

e megjithatë

diçka rreth nesh e brenda nesh

digjet ngrin përndizet

po të zhvisheshin shpirtrat në shesh

ç’do të ndodhte, o zot

 

mos shformësimi i piramidës

 

Ardhës dhe ikanakë

 

Edi 2 vijmë pothuajse çdo ditë

herë vetëm herë nga tre e dy

dhe mblidhemi në mesditë

të vjetër e të rinj

 

e flasim gjithçka pos për vdekjen

se ajo është prani e mungesës

një ditë na e merr njërin

tjetrin natën tjetër

 

e marrim vesh vonë se qemë pelegrinë

të një procesioni të rrallë

rrugës që çon e nuk kthen

na pëlqen t’i themi përrallë

 

Shumësi dhe njëjësi

 

e çuditshme sa të zotët jemi ne

për të vënë çarqe, mjeshtëri kjo jona

të nesërmen zdërhallur mbi dhé,

përgjakur dhëmbëzoresh, gjymtyrët tona

 

të zotët sa s’ka ku të shkojë matanë

ta djegim jorganin për një plesht,

kur e liga ngre stuhi e tramundanë

qenia jonë si mumie hesht

 

po flas në shumës, në vetë të parë

ta kthej në njëjës, gabimi im, hije fytyrës

ç’e keqe vjen nga një mëkatar

po qenë të tjerët në krye të detyrës

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
SALI BASHOTA  Atë ditë asgjë nuk ngjante me gjërat që…